
Tiranë, 5 qershor 2014, NOA.al- David Smith, drejtori i Programit “Asistencës për Doganat” të agjencisë Crown Agents është shprehur se 350 raste u shmangën nga detyrimet doganore.
Sipas tij, puna në terren gjatë muajit maj bëri të mundur zbulimin e një numri të përafërt shkeljesh por me vlerë më të madhe monetare dhe kjo për shkak të mirinformimit të skuadrave dhe përmirësimit të metodave të përzgjedhjes. Gjatë takimit Crown Agents raportoi mbi ecurinë e tre muajve të parë të punës, sipas kontratës me qeverinë shqiptare, përfshirë edhe lançimin e skuadrave operative në mars 2014.
Të pranishëm në takim ishin zv. Ministri i Financave, Ervin Mete, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, si edhe përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e Bashkimit Evropian, OSBE-në dhe PAMECA-n.
Përfaqësuesit e qeverisë shprehën mbështetjen e tyre të fortë për punën që po bëhet dhe theksuan domosdoshmërinë e rritjes së ndërgjegjësimit të bizneseve për të respektuar legjislacionin fiskal.
Përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare e mirëpritën fuqimisht raportin e përgatitur nga Crown Agents, si një mënyrë për të promovuar transparencë dhe një ndihmesë në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit mes palëve të interesuara.
Në 17 mars, agjencia britanike për doganat ‘Crown Agents” nisi punën në terren në çdo pikë të doganave.
Pritshmëritë e qeverisë shqiptare janë që nga kjo marrëveshje, të ardhurat për buxhetin e shtetit të rriten në masën 90 milionë euro në vit. Kostoja e këtij bashkëpunimi të paktën 2-vjeçar, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 8.5 milionë euro.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





