
Durrës, 5 qershor 2014, NOA.al/Klodiana Kotorri- Xhami i thyer në një dyqan në një lagje të qytetit të Durrësit, ka degraduar në një gjobëvënie, nga një person i tretë i papërfshirë në ngjarje.
Alban Musta 26 vjeç u arrestua nga policia gjatë ditës së djeshme, në lagjen Nr.14 në Shkozet gjatë kohës kur 22 vjeçari nga Durrësi me iniciale S.Sh., po i jepte shumën e parave prej 200 mijë lekësh të vjetra.
Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti i thanë Noa.al, se një ditë para kësaj ngjarje 22 vjeçari e ka denoncuar në polici Mustën duke thënë se, e ka kërcënuar dhe kanosur në mënyrë të vazhdueshme që ti jepte 500 mijë lekë të vjetra, gjë që ka çuar në arrestimin e tij në kushtet e flagrancës në kohën që po merrte paratë.
Uniformat blu konfirmuan për Noa.al dinamikën e ngjarjes, duke bërë me dije se para dy muajsh xhami i një dyqani ishte gjetur i thyer nga i zoti, duke hedhur dyshime se dyqani mund të ishte vjedhur dhe për këtë gjë, bënte përgjegjës 22 vjeçarin S.Sh.
Mirëpo nga kontrolli në dyqan nuk u zbulua asnjë send i vjedhur dhe i zoti i dyqanit nuk bëri asnjëherë denoncim për të riun.
Musta i cili ishte një banorë i zonës dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, ka shfrytëzuar këtë situatë për të kanosur 22 vjeçarin, duke i thënë se i dilte zot pronarit të dyqanit dhe për të mbyllur gjithë çështjen i ka kërkuar 500 mijë lekë të vjetra.
“Po s’mi solle nesër, do ta shikosh se çfarë do të bëj”, i ka thënë në kërcënimin e tij të fundit Musta të dëmtuarit.
Përballë kësaj situate 22 vjeçari iu drejtua policisë duke bërë denoncimin, çka bëri që të organizohet një operacion i detajuar për arrestimin në kushtet e flagrancës të Alban Mustës në kohën që po merrte paratë, në vendin që kishin lënë për takim.
I shoqëruar në polici 26 vjeçari ka thënë se nuk ia ka marrë me dhunë paratë, por çdo fajësim i tij rezultoi i kotë për shkak të mesazheve të zbuluara në telefonin e të dëmtuarit dhe të ndaluarit.
Në cilësinë e proces materiale Mustës iu gjetën në banesë 3 fishekë model 54 dhe 56. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” dhe “Mbajtje pa leje e municionit luftarak”./k.k/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





