Transmetuar më 04-06-2014, 17:44

Federata Portugeze e Futbollit nëpërmjet një buletini mjekësor ka pranuar faktin se Cristiano Ronaldo është i dëmtuar dhe rrezikon Kupën e Botës Brazil 2014, citon Supersport.

Në këtë njoftim zyrtar thuhet se ylli i Realit të Madridit vuan nga një dëmtim i dyfishtë në muskulin e brendshëm të kofshës së majtë si dhe në tendinën e gjurit të majtë.

Për këtë arsye 29-vjeçari vazhdon të përgatitet veçmas grupit duke zhvilluar stërvitje individuale.

Problemet fizike të sulmuesit të Realit ishin tema kryesore e diskutimit edhe në konferencën e radhës për shtyp, ku foli futbollisti i Manchester United, Nani, i cili 4 vjet më parë e humbi botërorin për arsye dëmtimi.

“Cristiano është i qetë dhe unë kam besim se gjithçka do të shkojë mirë. Ne kemi shpresa të mëdha dhe do të presim deri në minutën e fundit që ai të jetë në gjendje për të luajtur. Gjithsesi në të gjithë mendojmë se ai do të jetë gati.”

Gjendja fizike e Ronaldos ka shqetësuar edhe kupolën drejtuese të Realit, sidomos presidentin Florentino Perez, i cili këmbëbull se 2 herë fituesi i topit të artë duhet të luajë vetëm nëse është gati 100%.

Numri 1 i klubit madrilen kujtoi se katër vjet më parë, Kaka dhe Khedira u kthyen të dëmtuar nga Afrika e Jugut 2010.

Përsa i përket Pepes, stafi mjekësor i përfaqësueses luzitane sqaron se mbrojtësi i Realit vuan nga një dëmtim në pjesën e pasme të këmbës së majtë, që e detyron të kryejë stërvitje individuale.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit