
Durrës, 4 qershor 2014, NOA.al- Një vajzë e moshës 27 vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi ra nga kati i katërt i pallatit, por policia e Durrësit ka zbardhur rrethanat si ka ndodhur gjithçka.
Si përgjegjës për ngjarjen u bë arrestimi i bashkëshortit të saj Arben Gj., 46 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes.
Burime zyrtare nga policia e Durrësit i thanë Noa.al, se 27 vjeçarja e prekur nga fjalët e të shoqit pas debatit me të, ka tentuar të largohet nga ballkoni i shtëpisë në katin e katërt, nëpërmjet tubave të shkarkimit të ujit, por është rrëzuar në tokë.
Për pasojë ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur natën e së hënës duke u gdhirë e martë, ku gruaja e moshës 27 vjeçare në tentativë për tu larguar nga banesa ra përtokë.
Familjarët e saj të pyetur nga policia deklaruan se gjithçka ka ndodhur pas konflikteve mes saj dhe burrit.
Pas pyetjeve të shumta të uniformave blu, ai rrëfeu gjithë detajet se si kishte ndodhur ngjarja, ndërsa përveç debateve me të shoqen mohoi të kishte ngritur dorë ndaj saj.
Lidhur me këtë rast materialet në ngarkim të 46 vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





