Transmetuar më 04-06-2014, 13:06

Tiranë, 4 qershor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama e konsideroi statusin e vendit kandidat si një moment të shënuar, duke thënë se Komisioni Europian tha një “po” të fortë dhe të qartë për rekomandimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, bazuar në argumente konkrete për konsolidimin e një rruge të nisur qysh në muajt e parë të qeverisjes.

“Ky progres- raport ka një nënvizim shumë të fortë dhe nuk lë shteg, dyshim apo alibi se pse Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Është një rekomandim i pastër pa asnjë presje. Ne sot ndihemi edhe më shumë të rënduar nga pesha e përgjegjësisë dhe pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi që i ka bërë Komisioni rekomandimit na bënë që të ndihemi mirë sepse puna ka vazhduar pa asnjë lëkundje apo mëdyshje”, u shpreh Rama në konferencën e mbajtur bashkë me komisionerin për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, në përfundim të raundit të tretë të dialogut  të nivelit të lartë Shqipëri- BE.

Konkluzionet e Raportit dhe Rekomandimi

Mbi bazën e konstatimeve të këtij Raporti, Komisioni konfirmon rekomandimin e vet që Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë këtë zbatim sistematik të reformave, pasi rezultatet e qëndrueshme do të jenë vendimtare për integrimin e mëtejshëm në BE. Ky raport evidenton disa sfida thelbësore që Shqipëria të avancojë me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian. Në luftën kundër korrupsionit, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente, me qëllim që të konsolidohen përpjekjet fillestare dhe të krijohet një historik solid hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh me vendime të formës së prerë për çështje korrupsioni. Thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë edhe reforma e thellë në gjyqësor.

Në luftën kundër krimit të organizuar, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zhvillojë më tej historikun e rezultateve (track record) përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimit të efiçencës së hetimeve proaktive dhe përdorimit sistematik të hetimeve financiare, forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar kur përfshihet edhe Europol-i, si edhe intensifikimit të përpjekjeve për të goditur çdo formë krimit të organizuar.

Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara.

Për më tepër, është thelbësore që reforma të shoqërohet me dialog politik të ri-fuqizuar dhe të konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Puna parlamentare konstruktive bazuar në kompromis është vendimtare për qëndrueshmërinë e reformave, dhe krijimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian – i cili bashkon të gjitha grupet e interesit, është kyç për konsensusin e të gjithë shoqërisë shqiptare.

Sfidat kryesore të identifikuara në këtë raport, do të shtjellohen më tej në Progres-Raportin e Komisionit që publikohet në tetor 2014.

Të gjitha problemet që evidenton Raporti i KE

Opozita, ndër të tjera, është tërhequr nga votime kyçe në disa komisione parlamentare

Që nga tetori, problematikat në lidhje me largimet nga puna dhe uljen në detyrë të stafit, kryesisht për shkak të masave disiplinore dhe ristrukturimeve të institucioneve publike krijuan tension politik

Ka pasur polemika në lidhje me krijimin, emërimet dhe performancën e një sërë institucionesh dhe autoritetesh të pavarura që përgjigjen para Parlamentit. Është thelbësore që të zbatohet plotësisht legjislacioni përkatës dhe të forcohet profesionalizimi i këtyre institucioneve

Procedura e zgjedhjes së titullarëve dhe bordeve të këtyre institucioneve me shumicë të thjeshtë në Parlament, mbetet një problem shqetësues, sepse kjo rrezikon të ndikojë në pavarësinë e tyre

Strategjia Antikorrupsion duhet të shoqërohet me plane veprimi gjithëpërfshirëse

Korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, nëpunësve të drejtësisë, zyrtarëve të nivelit të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, tashmë janë nën juridiksionin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, me qëllim që korrupsioni i nivelit të lartë të bëhet më i dukshëm. Mbetet për t’u përcaktuar në legjislacion përkufizimi për "zyrtarët e nivelit të lartë" dhe "të zgjedhur vendorë"

Në periudhën tetor 2013 deri në mars 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës dënimet nga gjykatat e rretheve gjyqësore janë ulur me 8%

Në tërësi, numri i hetimeve dhe i dënimeve mbetet i ulët, sidomos në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë

Numri i lartë i hetimeve për korrupsion, nuk çon në dënime me vendim të formës së prerë, gjë që vë në dukje nevojën për të forcuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, si edhe nevojën për të forcuar kapacitetet e policisë dhe të prokurorisë

Thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë edhe reforma e thellë në gjyqësor

Numri i dënimeve për trafikim të qenieve njerëzore mbetet i ulët

Numri i dënimeve për pastrimin e parasë mbetet i ulët

Sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive te lokalet e paligjshme të lojërave të fatit duhet të bëhen në mënyrë sistematike

Hetimet për rastet e drogës duhet të shoqërohen sistematikisht me hetime financiare paralele

Duhet intensifikuar lufta kundër rrjeteve të trafikimit të drogës

Duhet të intensifikohen masat konkrete për çrrënjosjen e plantacioneve me bimë narkotike

Në Planin Kombëtar kundër kultivimit të drogës duhet të përcaktohen indikatorë për matjen e performancës si edhe rezultatet e pritshme

Vendimet gjyqësore duhet të jenë në dispozicion për të gjithë praktikuesit dhe publikun e gjerë. Vendimet duhet të publikohet në një bazë të dhënash të kërkueshme, me arsyetim përkatës dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave

Për sa i përket aksesit në drejtësi, duhet të zbatohen ndryshimet në Ligjin për Ndihmën Juridike (2008) në lidhje me përjashtimin nga tarifat gjyqësore për disa qytetarësh si edhe për ngritjen e zyrave vendore të ndihmës juridike (klinika juridike)

Fyle: Ne konfirmojmë pa pikë dyshimi, pa kushte dhe pa rezerva rekomandimin

Nga ana e tij Komisioneri Evropian per Zgjerimin, Stefan Fyle tha se në raport-progres përfshihet ecuria e reformave në muajt e fundit.

“Ne konfirmojmë pa pikë dyshimi, pa kushte dhe pa rezerva rekomandimin që shtetet anëtare ti japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ne e kemi bazuar këtë rekomandim te angazhimi i vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore gjithëpërfshirëse dhe vendimet që janë ndërmarrë nga Shqipëria që nga raport-progresi i tetorit të kaluar. Shoh argument të fortë për një vendim të plotë nga shtetet anëtare, por përpjekjet duhet të vazhdojnë përtej vendimit të fundit të muajit qershor, me synim qëndrueshmërinë e reformave”, deklaroi Fyle.

Ai tha se e ka mirëpritur udhërrëfyesin për prioritetet kyçe nga qeveria shqiptare, pasi tregon planin dhe strukturat e mëtejshme, ashtu sikundër ka mirëpritur synimin e qeverisë për gjithëpërfshirje.

Fyle u shpreh se klima e vazhdueshme konfliktuake politike, e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe mund të pengojnë ecurinë e reformave, ndaj ftoi që si qeveria edhe opozita të tregojnë kompromis.

Ai shprehu bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është brenda Bashkimit Europian, duke deklaruar se beson në kapacitetet e Shqipërisë për të trajtuar sfidat drejt BE, ndërsa shprehu edhe mbështetjen e pakursyer në rrugën e integrimit.

Komisioneri Fyle u ndal edhe në grevën e urisë të të larguarve nga puna, duke thënë se, “Grevën po e shohim me shqetësim. Iu bëj thirrje grevistëve që të mos e vënë jetën e tyre në rrezik. Ne po e ndjekim këtë çështje nga afër dhe flasim vazhdimisht me qeverinë”.

Duke rimarrë fjalën gjatë konferencës, kreu i qeverisë falenderoi ministrat, kryeparlamentarin, por edhe kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu për punën e bërë në rrugën e integrimit.

Më tej ai shtoi se rekomandimi i statusit do të thotë më shumë punë për Qeverinë dhe më shumë realizëm për opozitën”./a.y/noa.al/

Gjermania ende në procesin e marrjes së vendimit

Dputeti kristiandemokrat gjerman Roderich Kiesewetter i pyetur mbi shanset që ka Shqipëria për ta marrë në samitin në fund të qershorit dritën e gjelbër nga krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, tha ne nje interviste te transmetuar sot ne radion gjermane DW: "Aktualisht është vështirë të thuhet. Mendoj se aktualisht në Bruksel ekziston gatishmëria që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit. Por ka dhe disa detyra, që duhet të kryhen. Kanë mbetur edhe disa javë, por dua të them shumë qartë: edhe nëse jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, kjo nuk do të thotë anëtarësim në BE, por detyrim që të kryhen edhe shumë detyra. Pra Shqipëria me siguri që para vetes ka një rrugë shumë të gjatë. Mendoj se për Ballkanin Perëndimor është një sinjal i mirë, kur edhe një vend tjetër e fiton statusin e kandidatit. Por kjo nuk duhet të kuptohet si një sinjal se duhen ndërprerë përpjekjet".

Deputeti gjerman thekson gjithashtu, se i vlerëson përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë për plotësimin e detyrimeve në bazë të katalogut, që e ka marrë prej Komisionit Evropian. Ai shpreh bindjen, se në Shqipëri ekziston vullneti për t’i përmbushur të gjitha këto detyrimeime. Sa i përket pozicionit të Gjermanisë, deputeti Kiesewetter vë në dukje: „Ne ende jemi në procesin e marrjes së vendimit dhe ende nuk kemi marrë ndonjë vendim të qartë. Këtë vendim do ta marrim gjatë këtij muaji, por ende nuk ka ndonjë vendim të qartë të qeverisë gjermane, apo të Bundestag-ut. Ne ende kemi nevojë për informacione shtesë lidhur me zhvillimin e këtij vendi.“

Hapi tjetër për një vend që gëzon statusin e kandidatit për antarësim në BE janë bisedimet për pranimin në BE, të cilat mund të zgjasin me vite.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit