Transmetuar më 04-06-2014, 10:28

Baku, 4 qershor 2014, NOA.al- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri po zhvillon një vizitë zyrtare në Azerbajxhan.

Ai mori pjesë në punimet e një konferencë të rëndësishme për gazin ku pati rastin të takohet me aktorë shumë të rëndësishëm politikë e të biznesit në fushën e naftës dhe gazit.

Në ditën e parë të qëndrimit në Baku, ministri Gjiknuri u prit në një takim nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Azerbajxhanit, Natig Aliyev.

Në fokus të takimit ishte finalizimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Azerbaxhanit për bashkëpunimin në zhvillimin e Masterplanit të Gazifikimit të Shqipërisë.

Ministri Gjiknuri bëri një ekspoze të angazhimit të plotë të qeverisë shqiptare për lehtësimin e zbatimit të Projektit TAP në territorin e Shqipërisë, duke theksuar miratimin e Lejes Zhvillimore Komplekse, si dhe procesimin me Komisionin e Ndihmës Shtetërore, për marrjen e Autorizimit të TAP.

Nga ana e Qeverise së Azerbajxhanit dhe SOCAR u ndërmor angazhimi për bashkëpunim në përgatitjen dhe vlerësimin e kushteve dhe nevojave teknike dhe komerciale, lidhur me kapacitet absorbuese; përdorimin për nevojat për energji;  infrastrukturën e shpërndarjes për gazifikimin e Shqipërisë.

Memorandumi do të zyrtarizohet nga qeveria azere dhe grupet e përbashkëta të ekspertëve do të nisin procedurat e përgatitjes së Masterplanit.

Ministri Gjiknuri u shpreh për nevojën e bashkëpunimit edhe për vënien në punë të Termocentralit të Vlorës duke shfrytëzuar infrastrukturën potenciale lidhëse të projektit TAP.

Ministri azer Aliyev u deklarua optimist për bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë, në sektorin e gazit.

Në kuadër të Ekspo Caspian Gas and Oil, Ministri Gjiknuri realizoi takime me përfaqësues të Bodit Drejtues të Projekti TAP,  si dhe me personalitetet politike të Azerbaxhanit dhe Rajonit.

Gjiknuri bashkëbisedoi me Presidentin e kompanisë shtetërore të naftës “SOCAR”, Rovnag Ibrahim Abdullayev.

Gjiknuri tha në këtë takim se nënshkrimi i memorandumit për masterplanin e Gazifikimit të Shqipërisë është vetëm fillimi për hapat konkrete dhe substanciale të bashkëpunimit,  për realizimin e procesit të gazifikimit të Shqipërisë.

Duke vlerësuar faktin se Shqipëria e ka të nevojshëm përdorimin e Gazit, si faktor për diversifikimin dhe balancimin energjitik të vendit, ministri Gjiknuri diskutoi me Abdullayev për mundësinë e furnizimit me çmim të lirë të gazit për prodhim energjie.

“Fondet e miratuara këtë periudhe nga Bashkimi Europian për realizimin e Masterplanit të gazit në Shqipëri, në masën 1.1 milione euro, është e nevojshme që të potencohen edhe me bashkëpunimin me Azerbajxhanin”, vlerësoi Gjiknuri.

Ministri nënvizoi se në kontekstin e fillimit të procedurave për Projektin TAP,  është e domosdoshme përfshirja e bizneseve lokale shqiptare, deri në 30% të punimeve civile që shoqërojnë realizimin e projektit në territorin e Shqipërisë.

Gjatë takimit me drejtuesin e SOCAR, ministri Gjiknuri u shpreh për një bashkëpunim konkret me SOCAR edhe në objektiva si financimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit, ndërtimin e një impianti rafinimi modern si dhe krijimin e Institutit të Naftës dhe Gazit në Shqipëri./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit