Transmetuar më 03-06-2014, 23:04

Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë së Riorganizuar, Marko Dajti, i dërgon një letër-kërkesë, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i partisë në koalicion me Edi Ramën, hedh kritika të shumta ndaj politikave që janë ndjekur në vite nga SHBA dhe kërkon lirimin nga burgu të pesë shtetasve kubanezë të akuzuar për terrorizëm.

Ndiqni më poshtë letrën e plotë:

"I nderuar z. President Obama!

Ju drejtohemi me këtë letër, në emër të Partisë së Punës së Shqipërisë së Riorganizuar, me besimin se shprehim këtu edhe opinionin publik të majtë të një populli që konsiderohet si mik i Shteteve të Bashkuara. Kjo miqësi ndërmjet dy popujve tanë është bazuar në idenë mbarëpopullore se Uashingtoni përfaqëson një burim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht liderin botëror të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Fatkeqësisht disa ngjarje e kanë cenuar këtë reputacion të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ndër të cilat është çështja e pesë kubanëve të dënuar në vitin 2001: Gerardo Hernandez Nordelo (dy burgime të përjetshme dhe 15 vjet), Ramón Labañino Salazar (burgim i përjetshëm dhe18 vjet), Antonio Guerrero Rodríguez (burgim i përjetshëm dhe 10 vjet), Fernando González Llort (19 vjet burgim) dhe Rene Gonzalez Sehwerert (15 vjet burgim). Nga informacionet që ne kemi studiuar për këtë çështje, rezulton se dënimi i tyre është i padrejtë, i motivuar vetëm politikisht nga armiqësia prej disa dekadash ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kubës. Sipas këtyre burimeve, pesë shtetasit kubanë ishin pjesë e organizmave ligjzbatuese kubane, të ngarkuar posaçërisht me detyrën e zbulimit të bazave terroriste në SHBA që drejtoheshin kundër interesave të vendit të tyre dhe me frenimin e kësaj lëvizjeje terroriste.

Duke filluar nga periudha e Luftës së Ftohtë e, në mënyrë të posaçme, nga ngjarja e famshme e “Gjirit të Derrave”, ka patur dyshime shumë të forta se qeveritë e ndryshme në Shtetet e Bashkuara jo vetëm kanë “mbyllur sytë”, por edhe kanë financuar organizata terroriste që kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre armiqësore kundër shtetit të Kubës. Këto informacione janë të besueshme në Shqipëri, vend i cili është përballur në vitet ’50 me një valë sulmesh diversioniste nga kriminelë shqiptarë të arratisur, të cilët dërgoheshin në Shqipëri nga toka, deti dhe ajri me qëllimin për të përmbysur pushtetin e ligjshëm.

Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar veprimtari të tilla në kufijtë e terrorizmit edhe në vendet e tjera të bllokut socialist e në mënyrë të posaçme në vendet e Amerikës Qendrore e të Jugut. Nën moton e luftës kundër komunizmit, ato nuk janë ndalur edhe përpara agresionit të hapur, sikurse ka ndodhur në Vietnam apo Kore. Por ne besojmë se administrata e Presidentit Obama duhet të ndalojë një herë e mirë këtë ndërhyrje të hapur në parimin e vetëvendosjes dhe vetëqeverisjes së popujve, parim i cili është njëkohësisht edhe një nga shtyllat themelore të demokracisë.

Shqipëria është një vend i rreshtuar në koalicionin e madh ndërkombëtar kundër terrorizmit, por asnjë vend në botë nuk e ka monopolin e së vërtetës. Asnjë vend nuk ka të drejtë të etiketojë një vend tjetër si terrorist dhe çdo popull në botë ka të drejtë të mbrohet nga terrorizmi. Aktet dhe veprimet terroriste duhen ndëshkuar në çdo formë në të cilat ato shfaqen dhe askush nuk duhet të lejojë që një vend i caktuar, në emër të antikomunizmit apo antiterrorizmit, të ushtrojë terror mbi një vend tjetër apo të verë në dispozicion territor, mjete dhe njerëz për kryerjen e akteve të tilla, qoftë ky edhe një vend i demokracisë sikurse Shtetet e Bashkuara. Ndryshe, ne kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se antiterrorizmi nuk është gjë tjetër veçse një instrument i ri për realizimin e politikave të vjetra të Shteteve të Bashkuara dhe se ky rrezik nuk është veçse një produkt i propagandës së Uashingtonit.

Shtetet e Bashkuara duhet të jetë vendi që duhet të japë shembullin në luftën kundër terrorizmit, por terrorizmi nuk luftohet duke burgosur njerëzit që luftojnë dhe japin jetën në luftën kundër terrorizmit, qofshin këta edhe komunistë kubanë. Antiterrorizmi nuk është antikomunizëm. Në këtë kontekst, është detyra Juaj të vini në vend edhe vendimet e gabuara të marra në kohën e administratës së Presidentit Bush, sikurse është vendimi në fjalë. Kjo është mënyra më e mirë për të përgënjeshtruar propagandën antiamerikane që sot bëhet gjithnjë e më e fortë, sipas të cilës SHBA janë financues të terrorizmit. Një tezë e tillë, të cilën ne nuk duhet dhe nuk duam ta besojmë, mund të përgënjeshtrohet vetëm me vendime të tilla të drejta sikurse është lirimi i pesë kubanëve.

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar solidarizohet me çështjen e madhe të pesë kubanëve të dënuar padrejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuzën e stisur të terrorizmit. Tashmë kjo është një çështje që po përkrahet nga opinioni përparimtar dhe inteligjenca në mbarë botën, duke përfshirë edhe atë amerikane. Po citojmë këtu vetëm një nga ish-Presidentët më të nderuar të Shteteve të Bashkuara, Xhimi Karter, i cili thotë se “unë besoj se nuk ka arsye të mbahen të burgosur pesë kubanët, kishte dyshime në vendimin e gjykatave amerikane dhe ndërmjet organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.” Në emër të opinionit publik përparimtar shqiptar ne kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm.

Me këtë rast shpreh bindjen e palëkundur se administrata Juaj do të marrë vendimin e duhur duke liruar pesë kubanët, vendim i cili do të forcojë besimin e popujve dhe vendeve në mbarë botën tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tej Ju personalisht.

Me shumë respekt

Për Partinë e Punës së Shqipërisë të Riorganizuar

Kryetari Marko Dajti

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit