
Tiranë, 3 qershor 2014, NOA.al- Deputetja e Partisë Socialiste, Olata Xhaçka u shpreh se Lulzim Basha sot tentoi të paraqiste disa shifra, kontradiktore me njëra tjetrën, për t’u thënë shqiptarëve se gjoja ekonomia nuk po ecën me ritmet e duhura.
Sipas deputetes socialiste pyetja që shtrohet natyrshëm është: Me ritmet e kujt, me ritmet e qeverisë së kaluar, që e zhyti vendin në borxhe dhe krijoi 1 milionë të papunë?
“E vërteta është ndryshe, krejt ndryshe. Mjafton t’i referohemi tre shifrave kryesore”, thotë Xhaçka dhe përmend numrin e të punësuarve të formalizuar në Shqipëri, i cili është shtuar me 30 mijë vetë; paketën e re fasone dhe qasjen e re në fshat.
Xhaçka nënvizon se Shqipëria, në muajin prill eksportoi 10,3% më shumë se një vit më parë, në kohën kur qeveriste opozita e sotme dhe në muajin mars eksportoi 6,6% më shumë se marsi 2013, që sipas saj do të thotë se në vendin tonë prodhohet më shumë dhe eksportohet më shumë.
“Deri tani, janë shlyer 200 milionë dollarë borxhe, që qeveria e kaluar, sot në opozite, u kishte sipërmarrësve vendas. Por sigurisht zoti Basha për borxhet nuk flet, pasi deri dje pretendonin se borxhet nuk ekzistonin. Kurse në realitet borxhi i krijuar nga qeveria e zotit Basha dhe Berisha ishte plot 720 milionë dollarë” tha ajo.
Deputetja socialiste shtoi se “ekonomia po ecën në rrugën e duhur dhe këtë e konfirmon edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Botërore, të dyja institucione, të cilave iu është rikthyer besimi tek qeveria shqiptare”
“Që ekonomia po zhvillohet e konfirmon edhe “Standards and Poors”, në raportin më të fundit kur thotë se pritshmëria për ekonominë shqiptare ka ndryshuar nga negative, në kohën kur qeveriste opozita e sotme, në stabël, tani që qeveris maxhoranca e re” përfundoi deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





