
Tiranë, 3 qershor 2014, NOA.al- Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, iu bëri thirrje bashkive që të respektojë ligjin për statusin e invalidit, i cili u garanton atyre udhëtim falas në transportin qytetas.
Duke hipur vetë në njërën nga linjat e autobusëve që operon në Tiranë për të inspektuar urdhrin e nxjerrë para pak ditësh nga MMSR për udhëtimin falas të personave me aftësi të kufizuar, Veliaj tha se problemet më të mëdha janë vërejtur në Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, ligji për statusin e invalidit u garanton atyre udhëtim falas dhe vende të lira në çdo autobus.
“Përpara disa ditëve u bëra një apel të gjitha bashkive, sidomos Bashkisë së Tiranës ku abuzimi dhe mosrespektimi i ligjit ka qenë më i madh, që të interesohet për çështjet që i takojnë asaj. Kur lidh kontrata me shoqatat e transportit duhet të respektojë së pari, njerëzit më të dobët të shoqërisë, personat me aftësi të kufizuar dhe ata që janë të pajisur me një dokument invaliditeti”, deklaroi Veliaj.
“Aftësi e kufizuar nuk është kur ke probleme me një këmbë ose një dorë. Aftësi e kufizuar është kur ke probleme me logjikën dhe kur vendos fitimin përpara njerëzve. Unë gjykoj se jetojmë në një shoqëri solidare ku njerëzit janë përpara fitimit”, vijoi Veliaj.
Ai u bëri thirrje edhe shoqërive të transportit që ta respektojnë ligjin, duke shtuar se ligji për licencat e shoqërive të transportit thotë se ato mund ta marrin licencën vetëm nëse plotësojnë kushtin e udhëtimit falas të personave invalidë, çka do të thotë se edhe mund ta humbasin licencën nëse nuk e zbatojnë atë.
Duke mbyllur fjalën e tij, Veliaj deklaroi “Në të kundërt, do të merrem personalisht, me gjithë fuqinë që më siguron ligji. Çdo shfajësim i Bashkisë së Tiranës, e cila kërkon para shtesë për t’i ndarë me kompanitë e autobusëve, do të penalizohet. Ligji flet shumë qartë dhe çdo spekulim nga Bashkia e Tiranës nuk qëndron. I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë të kthehet në punë dhe të sigurohet që në këtë qytet bëhet jetë normale dhe ku nuk ndodh si në Alabama me Rosa Parksin, ku dikush zbritet nga autobusi për ngjyrën e lëkurës apo se i kërkohen para për një udhëtim, të cilin shteti shqiptar dhe taksapaguesit ia kanë dhënë falas”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





