Transmetuar më 02-06-2014, 17:10

“Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë”. Kjo deklaratë e bërë në Tiranë nga patriarku serb Irinej, ka ndezur debate politike në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama, ka reaguar dukshëm duke bojkotuar drekën zyrtare të përgatitur nga Kisha Ortodokse e Shqipërisë, si dhe ka “denoncuar” në publik kryepeshkopin serb duke e kritikuar për deklaratën e tij.

Deklarata e patriarkut serb që ndezi reagimet

Kryepeshkopi i Serbisë, Irinej, i ndodhur në Tiranë për ceremoninë e shenjtërimit të katedrales së re ortodokse shqiptare, bëri një deklaratë duke iu referuar rolit të Kishës serbe në marrëdhëniet e shtetit për çështjen e Kosovës dhe tha se krahina e Kosovës është pjesa më e shenjtë për popullin serb.

“Në këto vise jetojnë një numër shumë i madh shqiptarësh, por jo vetëm tani. Ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ato që po ndodhin në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shtetit të pavarura nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët janë pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne ndërtojmë në Kishën tonë është nga kjo krahinë. Rezidenca e Patriarkanës Serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që Rezidenca e Patriarkanës Serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe nuk mund ta kuptojmë”, – tha kryepeshkopi Irinej.

“Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë që të dyja palët të jenë të kënaqura. Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë”, sugjeron Irenej.

Kryepeshkopi kritikoi faktin se 250 mijë serbë sipas tij janë larguar nga vendbanimet e tyre në Kosovë dhe sugjeroi: “T’i krijohet mundësia që të gjithë të larguarit të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të gjendet mënyra që të jetojnë të qetë në Kosovë. Ata kanë jetuar momente të vështira, shtëpitë e tyre janë djegur, pronat u janë përvetësuar nga banorët shqiptarë dhe nuk po u lejohet që të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Patriarku serb u kthye pas në kohë kur u shpreh: “Serbët asnjëherë nuk kanë qenë armiqësorë në raport me shqiptarët. Në 1912 kur Kosova u çlirua nga Turqia, asnjë shqiptar nuk është përzënë nga Kosova dhe Metohija”.

Reagimi i ashpër i kryeministrit

Pakënaqësia e Ramës ndaj deklaratës së Patriarkut serb është treguar duke bojkotuar drekën zyrtare, të shtruar të dielën nga krerët ortodoksë. Një mesazh qartësisht reagues, z. Rama e ka dhënë gjatë takimit të sotëm protokollar, që ka zhvilluar me përfaqësuesit e kishës, mes të cilëve edhe Patriarku serb Irinej. Kryeministri i ka shprehur klerikëve të lartë serbë, pakënaqësinë e tij lidhur me deklaratat e Patriarkut serb. Futja e opinioneve politike të patriarkut serb, në mesin e një feste fetare për shqiptarët, ishte për ne, diçka krejt e padëshiruar, – ka deklaruar z.Rama.

Ai ka theksuar se “komunitetin ortodoks, si çdo komunitet tjetër fetar, nuk e bashkon etnia, por besimi në Zotin pa kufij, ndaj dhe nuk duhet as ta ndajnë kufijtë etnikë e as, aq më pak, ta përfshijnë në debate të së shkuarës për kufijtë etnikë, vetë njerëzit e fesë”. “Për më tepër, ka thënë kryeministri, askush që vjen në Shqipëri si përfaqësues i një feje, nuk duhet të harrojë se ky është vendi, ku bashkëjetojnë në harmoni komunitete të ndryshme fetare dhe ky vend multifetar duhet respektuar nga çdo vizitor, siç respekton çdo vizitor”. “Kolegu juaj”, – është shprehur Rama duke treguar me gisht patriarkun serb, – “ka abuzuar me mikpritjen tonë, duke e transformuar një festë fetare dhe provën e bashkëjetesës tonë fetare në një çështje politike. “Ne jemi revoltuar, kjo na ka fyer”, është shprehur Rama. “Fakti që autoritetet më të larta të shtetit ishin mbledhur dje, për të respektuar komunitetin ortodoks dhe kremtuar bashkë me të Katedralen e re, ishte shprehja tradicionale e respektit që ka në këtë vend për çdo fe, e çdo komunitet fetar”, – ka thënë Rama. Dhe, – ka vijuar ai, – Shqipëria është vendi më i gabuar për deklarata si ato të Patriarkut serb. Pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, ky debat thjesht nuk ekziston më dhe deklarata të tilla, thjesht nuk respektuan as vendin, as komunitetin ortodoks shqiptar e padyshim, as komunitetet e tjera, duke e cënuar fatkeqësisht gëzimin për ngjarjen madhështore”.

Përballë kritikave të hapura të Ramës, patriarku serb, Irinej, nuk ka bërë asnjë reagim.

Në takimin në Kryeministri me patriarkët botërorë, kanë qenë dhe tre ministra të kabinetit qeveritar, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit