Transmetuar më 02-06-2014, 15:50

Tiranë, 2 qershor 2014, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka pritur sot tërëshenjtërinë e tij, Patriarku Ekumenik Bartholomeu I i Kostandinopojës si dhe primatët dhe përfaqësuesit e kishave ortodokse që ndodhen në Tiranë me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, Kryepishkopi i Polonisë, Sava, Kryepiskopi i Athinës, Jeronimi, Kryepiskopi i Qipros, Krisostomi, Kryepiskopi i Shqipërisë, Anastasi, Përfaqësuesi i Patriarkanës së Antiokisë, Mitropoliti Isak , përfaqësuesi i Kishës së Bullgarisë, Mitropoliti Serafim dhe Mitropoliti i Korçës, Joani.

“Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe prania e Primatit të Kishës Ortodokse në Tiranë është një tjetër dëshmi e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë”, tha Basha.

Ai vuri në dukje se vetëm pak metra ndajnë nga njëra – tjetra xhaminë e Et’hem Beut, katedralen “Ngjallja e Krishtit”, katedralen e Shën Palit dhe Kishën Ungjillore.

Sipas Bashës, ky është një shembull unik në botë për të cilën shqiptarët krenohen dhe një vlerë e shtuar për BE, së cilës Shqipëria pret t’i bashkohet në një të ardhme të afërt.

“Ne kemi besim se Shqipëria do të jetë shumë shpejt pjesë e BE, duke nisur me marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilin shqiptarët e meritojnë dhe shpresojmë ta marrim në muajin qershor”, tha Basha.

Tërëshenjtëria e tij, Patriarku Ekumenik Bartholomeu I i Kostandinopojës ka shprehur falënderime për qytetarët e Tiranës, për mikëpritjen që u kanë rezervuar gjatë qëndrimit në Tiranë.

Patriarku Ekumenik Bartholomeu I theksoi se Shqipëria është një shembull që duhet ndjekur për bashkëjetesën dhe tolerancën mes qytetarëve me besimeve fetare, tradita dhe kultura të ndryshme. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit