
Tiranë, 2 qershor 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në takim Patriarkun Ekumenik, Bartolomeun I dhe primarët e kishave të tjera ortodokse që ndodhen në vendin tonë me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vuri në dukje se pas një gjysmë shekulli diktature, ku praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj, ku klerikët u përndoqën pa mëshirë dhe objektet e kultit u shkatërruan, Shqipërisë sot i është shtuar edhe një objekt tjetër madhështor kulti, Katedralja e re Ortodokse në qendër të Tiranës.
Presidenti Nishani vuri në dukje vlerat e popullit tonë: tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën e shkëlqyer fetare, duke shtuar se Shqipëria dhe shqiptarët kanë punuar dhe do të kontribuojnë gjithmonë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe dialogun me fqinjët në rajon, sepse vetëm në saje të këtyre parimeve popujt dhe vendet do të ecin përpara në paqe dhe begati.
“Këto virtyte të shqiptarëve të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, Shqipëria do t’ia ofrojë si vlera të shtuara edhe familjes së madhe europiane, ku ne synojmë të bëjmë pjesë dhe të integrohemi së shpejti”, u shpreh Nishani.
Duke falenderuar Presidentin, Patriarku Ekumenik Bartolomeu I, vlerësoi ndryshimet dhe përparimet që ka shënuar vendi ynë duke vënë në dukje se Katedralja e re Ortodokse është një tjetër provë e qartë se Shqipëria gëzon tërësisht lirinë e praktikimit të fesë, pas së kaluarës së hidhur që ka përjetuar.
Gjithashtu Patriarku Ekumenik shprehu urimin dhe bekimin e tij që Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat, sepse përveç arritjeve të shënuara, kombi shqiptar, duke qenë njëri prej më të vjetërve në kontinent, e meriton plotësisht të jetë në gjirin e Bashkimit Europian./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





