
Vetëm pak ditë para startit të Botërorit Brazil 2014, në drejtim të FIFA-s shpërthejnë akuza të forta, që po e tronditin qeverinë botërore të futbollit, citon Supersport.
Britanikja “Sunday Times”, tashmë zotëron mijëra e-mail dhe dokumenta të tjera, të cilat do të paraqiten si prova për të vërtetuar prapaskenat dhe intrigat në gjirin e FIFA-s, të vëna në jetë nga Mohamed bin Hammam, në mënyrë që Katari të fitonte të drejtën për zhvillimin e Botërorit të vitit 2022.
Ky personazh, i cili nga viti 2001 mbante postin e presidentit të Konfederatës së Azisë, më 22 korrik të 2011 u pezullua përjetë nga FIFA për korrupsion.
Gazeta britanike ka rindërtuar skenarin e shpalljes, fituese, të kandidaturës së Katarit për organizimin e Botërorit të vitit 2022, me Mohamed bin Hammam që ka arritur të blejë votat e nevojshme, duke përdorur një rrjet klientelist të ngritur posaçërisht për këtë qëllim.
Fushata e Hamman nisi në një mbledhje të Konfederatës së Futbollit të Azisë në vitin 2008, ku i ka dorëzuar delegatit të Katarit, Mohamed Meshadi një zarf me 100 mijë Dollarë.
Ndërsa në 2009-n, Hamman, bëri një punë intensive lobuese pranë Konfederatës së Futbollit Afrikan, për të kulmuar me pagesën e 450 mijë Dollarëve para votimit për llogari të zëvendëspresidentit të FIFA-s, Jack Warner, njëkohësisht edhe president CONCACAF.
Në vitin 2011, pas pezullimit nga FIFA, Hamman transferoi në llogaritë bankare të Warner, 1.2 milionë Dollarë.
Në dokumentat e publikuara nga “Sunday Times”, zbulohet gjithashtu se Hamman ka shpenzuar gjithsej 5 milionë Dollarë për të blerë votat e nevojshme pro kandidaturës së Katarit.
Mësohet se presidentëve të federatave afrikane të futbollit u është dhënë secilit 200 mijë Euro, ndërsa Jack Warner i CONCACAF, ka përfituar 1.6 milionë Dollarë.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi zëvendëspresidentit të FIFA-s, Jim Boyce, i cili u shpreh se do të kërkonte rivotim për ç’aktivimin e vendit organizator të Botërorit 2022, nëse vërtetohen akuzat për blerje të votave për Kandidaturën e Katarit nga Hamman.
Në prononcimet e fundit, edhe presidenti i FIFA-s, Sep Blatter e ka pranuar se vendimi për zhvillimin e Botërorit të vitit 2022 në Katar ishte një gabim, ç’ka lë të kuptohet se mund të kemi të tjera zhvillime të rëndësishme për këtë çështje, të cilat mund të çojnë deri në heqjen e të drejtës, vendit arabik për zhvillimin e Botërorit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





