
Një 29 vjeçar nga Franca u arrestua në Marsejë i akuzuar për sulmin në muzeun hebraik në Bruksel. Mehdi Nemmouche, të cilit iu gjetën një armë zjarri tip kallashnikov dhe një pistoletë, mendohet së në vitin 2013 ka qenë në Siri, i shoqëruar nga disa xhihadistë.
I riu u ndalua enjten në bordin e një autobusi, i cili ishte duke ardhur nga Belgjika. Akuza që rëndon mbi të është ajo e vrasjes së shumëfishtë në bashkëpunim me grupe terroriste.
Gjatë marrjes në pyetje i riu nuk është përgjigjur kundrejt akuzave që rëndojnë mbi të, duke u shprehur vetëm se është një person i varfër dhe i pastrehë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se përveç armës së zjarrit dhe pistoletës, Nemmouche kishte me vete dhe një telekamerë. Të mbijetuarit në masakër kanë dëshmuar se atentatori mbante me vete pikërisht një makinë fotografike.
Një tjetër e dhënë është edhe kapela që atentatori i masakrës mbante në kokë gjatë sulmit, e cila është e ngjashme, për të mos thënë e njëjtë, me atë që 29 vjeçari mbante në momentin e arrestimit.
Ndalimi i tij mund të zgjasë 96 orë, pra deri të martën, por mund të zgjatet deri në 144 orë, në rast se hetuesit mendojnë dhe vendosin që lirimi i tij mund të shkaktojë rrezik dhe të ekspozojë njerëzit përballë sulmeve të mundshme terroriste. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





