
Fier, 1 qershor 2014, NOA.al- Ambasadori i Italisë në Shqipëri është shprehur se vendi ynë e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
“Jemi në muajin kur do të merret vendimi për statusin. Italia do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës”, është shprehur Ambasadori Gaiani.
Sipas tij, Shqipëria këtë herë do ta marrë statusin. Këto deklarata Gaiani i ka dhënë nga qyteti i Fierit, gjatë zhvillimit të një aktiviteti në kuadër të javës kombëtare të Italisë.
Komisioni Europian pritet të nxjerrë këtë muaj një raport për ecurinë e reformave shqiptare, së bashku me një vendim të vendeve anëtare mbi statusin e vendit kandidat.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkuan në muajin dhjetor më shumë kohë për të gjykuar mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, sidomos forcimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendet anëtare pritet të vlerësojnë përsëri këto ditë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





