
Kukësi është ende në kërkim të emrave për sezonin e ardhshëm. Nënkampionët e dy sezoneve të fundit kanë qenë tepër aktiv në merkato, duke kërkuar emrat e duhur për të synuar titullin kampion.
Kështu së fundmi janë konfirmuar afrimet e 4 mbrojtësve, Bicaj nga Skënderbeu, Dushku nga Flamurtari, Idrizaj nga Bylis dhe Doku nga Kastrioti.
Një riformatim i repartit të mbrojtjes, tregon që ambiciet e sezonit të ardhshëm janë më të mëdha sesa një vend i dytë apo një finale e Kupës së Shqipërisë.
Por përsa i përket futbollistëve, tratativat vijojnë me dy kampionë, mesfushorin Sabien Lilaj dhe sulmuesin Pero Pejic, të cilët ende nuk kanë rinovuar kontratat me Skënderbeun.
Sigurisht që dy lojtarët kanë kërkesat e tyre, të cilat janë më së shumti në aspektin ekonomik, dhe nëse nuk bien dakord me presidentin e korçarëve Takaj, atëherë destinacioni do të jetë Kukësi.
Por mbi të gjitha presidenti verilindorëve Safet Gjici po punon për gjetjen e trajnerit të ri. Sulejman Starova do të jetë në krye të skuadrës deri në përfundim të aventurës europiane dhe më pas pritet të largohet.
Së fundmi numri një i Kukësit, Safet Gjici ka biseduar me ish trajnerin e Vllaznisë edicionin e kaluar Agim Canaj, si dhe me ish trajnerin e Ferizaj, Bylbyl Sokoli.
Sipas burimeve brenda klubit, ky i fundit mësohet të ketë parashtruar kërkesat e tij, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me aspektin financiar, duke i bërë të ditur presidentit Gjici se në rast se miratohen këto kërkesa atëherë mund të flasin për pagën e tij.
Më 2 qershor futbollistët e Kukësit janë lajmëruar të nisin stërvitjen, teksa 10 ditë më pas e tërë skuadra do të spostohet në Slloveni ku për dy javë do të vijojë me fazën përgatitore. Më pas rikthimi në Shqipëri do të vijojë me stërvitje dhe ndeshje miqësore, deri në pritje të sfidës së parë eliminatore të Europa League.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





