
Janë të shumtë lojtarët që janë ndjekur nga Barcelona në muajt e fundit. Stafi teknik e dinte mjaft mirë se me apo pa tituj këtë sezon, riformatimi i skuadrës është një domosdoshmëri, prandaj janë shumë futbollistë që janë spiunuar nga blaugranat.
Nga porta te sulmi, por mbi të gjitha një numër 9 i tipit Llorente kërkohet me insistim te Barça e re që po rilind, citon Supersport.
Konkretisht sulmuesi që kërkohet duhet të ketë nuhatje të mirë për golin, të jetë i shpejtë dhe të reagojë mirë me pjesën tjetër të ekipit.
Me këto karakteristika, ai që është identifikuar si i përshtatshëm është një emër shumë i njohur, dikur një rival i portës së blaugranave. Bëhet fjalë për argjentinasin e Napolit, Gonzalo Higuain, i cili para se të transferohej në Serinë A, ka kaluar 6 sezone në ofensivën e Realit të Madridit.
Një ish madrilen te katalanasit sigurisht që është një lajm bombastik, për hatër të rivalitetit që ekziston mes dy gjigantëve të Spanjës.
Gjithsesi për të përditshmen El Mundo Deportivo, burime nga klubi konfirmuan se Higuain nuk ndodhet në rresht të parë të prioriteteve.
Eshtë fakt që “El Pipita” është ndjekur nga Barcelona që kur ai ishte te Los Blancos, por në atë kohë transferimi i tij ishte i pamundur.
Me projektin e ri të Luis Enriques, te Barça, Higuain mund të jetë vetvetja me numrin 9, në një sistem me 2 apo 3 sulmues.
Kjo mbetet për t’u vendosur më vonë. Një anë tjetër pozitive që e afron sulmuesin e Napolit në Camp Nou është fakti se merret vesh mirë me Messin, pasi janë mësuar të luajnë bashkë në kombëtaren argjentinase.
26-vjeçari Higuain, ndërkohë është ndjekur edhe nga Manchester City këtë sezon, ku ka shënuar 17 gola për Napolin në kampionat, 4 në Champions, 1 në Europa League dhe 2 në Kupën e Italisë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





