Transmetuar më 31-05-2014, 12:39

Tiranë, 31 maj 2014,NOA.al- Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur një kontroll në 28 gjykatat e vendit.

KLD informon se inspektimi u zhvillua bazuar në tre faza duke respektuar procedurën e përcaktuar në ligj dhe në Rregulloren e Inspektoratit, si dhe standardet e metodologjinë e Manualit të Inspektimeve. Në fazën e parë të veprimtarisë paraprake u përcaktua kalendari i punës dhe u grumbullua materiali dokumentar nga gjykatat, ndërsa në fazën e dytë u realizua inspektimi në gjykata ku u verifikuan rezultatet e fazës paraprake. Në fazën e tretë dhe të fundit, u procedua me përpunimin e materialit të grumbulluar dhe me hartimin e Raportit Përfundimtar.

Periudha e zgjedhur për inspektim është një vit e gjysmë 01.01.2011 – 30.06.2012, e cila jep mundësinë për njohjen e situatës së veprimtarisë gjyqësore në një volum relativisht të lartë, si dhe për njohjen e ecurisë së vendimeve të dhëna gjer në Gjykatën e Lartë.

“Në përfundim të këtij inspektimi është konkluduar se ka vend për përmirësim në procedurat për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtjen nga dhuna në familje. Përmirësimi i situatës kërkon ndërhyrje ligjore dhe administrative. Po ashtu, është konkluduar se duhet të standardizohet praktika gjyqësore për masat e sigurimit ndaj të dyshuarve të veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”m bëhet e ditur nga KLD.

Sipas këtij organi bëhet e ditur se nga analiza e këtyre gjetjeve, janë dhënë 8 rekomandime, një pjesë e të cilave lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e KLD-së, ndërsa një pjesë me institucionet e treta. Në formulimin e rekomandimeve është mbajtur në konsideratë fakti se fenomeni i dhunës në familje kërkon një reagim të bashërenduar të institucioneve shtetërore. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit