Transmetuar më 30-05-2014, 23:05

Shqipëria gati për testin e parë miqësor ndaj Rumanisë në “Yverdon”, citon Supersport.

Skuadra kuqezi do të përballet në një derbi ballkanas me formacionin e Victor Piturcas, në një test që mund të vlejë shumë përsa i përket përgatitjeve për ndeshjet zyrtare të eliminatoreve të Euro 2016, ku Serbia dhe Armenia mund të konsiderohen të ngjashme në lojë me rumunët.

Pas dy ditëve stërvitje, me dy seanca stërvitore, trajneri Gianni De Biasi duket se ka krijuar një ide pothuajse të plotë për formacionin që do të hedhë në fushë.

Me rreshtimin 4-3-2-1, De Biasi kërkon jo vetëm të mbulohet pas, por gjithashtu dhe të krijojë mundësinë për të zënë në befasi kundërshtarin.

Në portë duhet të luajë Berisha, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Lila, Cana, Agolli me Currin e prurjen e re Aliti, që janë në balotazh për një vend në qendër të repartit.

Në mesfushë do të pozicionohen, Vila, Kaci ndërsa Abrashi e Vajushi janë në balotazh me njëri-tjetrin, ndërsa Rama dhe kryegolashënuesi i kampionatit zviceran, Gashi do të jenë mbështetje për Hamdi Salihin që do të luajë në sulm i avancuar.

Sa i përket bilancit me Rumaninë, në total dy përfaqësueset kanë luajtur 15 takime, me rumunët, që kanë fituar 8, kanë barazuar tre, e kanë humbur katër përballë kuqezinjve.

Dy takimet e fundit për eliminatoret e Euro 2012 përfunduan në barazim, si në Bukuresht ashtu dhe në “Qemal Stafa”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit