Transmetuar më 30-05-2014, 19:54

Budva, 30 maj 2014, NOA.al- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka marrë pjesë në forumin “To be Secure”që zhvillohet në Budva të Malit të Zi. Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, Jonathan Moore u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Shqipërinë në çdo veprim që është duke ndërmarrë.

“Sa i takon statusit të vendit kandidat, kjo është një çështje që ka të bëjë me interesat e të dy vendeve tona, si anëtare të NATO-s. Këtë mesazh e kemi dhënë dhe në Tiranë, por mesazhet tona nuk mund të them se kanë rënë në vesh të shurdhër, por në veshë që nuk duan të dëgjojnë. SHBA vlerëson kontributin që Shqipëria po jep në NATO” tha Moore.

Ai shprehu mbështetjen në të gjitha nismat antikorrupsion të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes, duke theksuar se është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me Prokurorinë, duke e quajtur atë si një veprim të duhur në të tilla raste.

“Asnjë person apo institucion nuk duhet të bëhet pengesë për progresin dhe ecurinë e reformave. SHBA i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe inkurajon përpjekjet për të arritur qëllimet e përbashkëta. Ne ju mbështesim plotësisht në përpjekjet tuaja për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e FA”, tha Moore.

Na ana e saj, ministrja Kodheli informoi Moore për hapat që janë duke u ndërmarrë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar edhe në lidhje me përpjekjet që po bën Mali i Zi për përmbushjen e kushteve për anëtarësimin në NATO si dhe për çështje që kanë të bëjnë me atë se çfarë do të jetë NATO pas 2014.

Në forumin “To be Secure” është diskutuar për një sërë çështjesh të rëndësishme, si për situatën në Ukrainë, për qëndrimin në Afganistan pas vitit 2014 etj.

Duke marrë fjalën në këtë takim, ministrja Kodheli është ndalur në çështjen e Afganistanit pas vitit 2014. Ajo ka theksuar se Shqipëria do të jetë krah për krah me aleatët për vendimet që do të merren.

“Ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur”, është shprehur Kodheli. Gjatë takimit me homologen e Malit të Zi, Milica Pejanovic, Kodheli është shprehur se Shqipëria mbështet politikën e “dyerve të hapura” dhe dëshiron të shohë Malin e Zi sa më shpejt anëtarë të NATO-s.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit. Shqiptarët e Malit të Zi janë dhe do të vazhdojë të jenë një urë lidhëse mes dy vendeve tona dhe një element stabiliteti dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi”, ka thënë Kodheli./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit