
Pas një periudhë qetësie disa javore, skuadra nënkampione e shqipërisë, Kukësi, shpërthen në merkato, citon Supersport.
Presidenti Safet Gjici, pas impenjimeve si Prefekt i qarkut të Kukësit, kthen sytë nga skuadra, duke bërë tri blerje të rëndësishme në fazën mbrojtëse.
Bëhet fjalë për Erjon Dushkun, Dimtar Bicajn dhe Endri Idrizajn, të cilët do të nisin në fillim të qershorit përgatitjet me verilindorët për pjesëmarrjen në Europa Legaue.
Me këto afrime reparti i pasmë mbipopullohet me elementë cilësorë, pasi aktualisht për katër vende në prapavijë do të luftojnë të paktën 7 futbollistë.
Ndërkohë drejtuesit kuksiane vijojnë tratativat për të afruar të paktën për aventurën Europiane mesfushorin e Tiranës, Erando Karabeci, me të cilin kanë patur një bashkëpunim të suksesshëm edhe sezonin e kaluar.
Ndërsa Elis Bakaj konsiderohet një tjetër vlerë e shtuar për mesfushën, me 26-vjeçarin që pret të transferohet në një kampionat më cilësor jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë një tjetër çështje e mprehtë për t’u zgjidhur në kampin verilindor është ajo e trajnerit, pasi tekniku aktual Sulejman Starova, pritet ta drejtojë skuadrën deri në përfundim të aventurës europiane.
Në këto kushte, presidenti Gjici ka nisur bisedimet për të afruar një emër të njohur të trajningut shqiptar, sikurse është Agim Canaj.
Gjithsesi palët janë ende në kuadrin e bisedimeve, ndërsa pritet që e zeza mbi të bardhë të hidhet në ditët të vazhdim. Dhe nëse do të ndodhë kështu, Starova mund t’i heqë që tani tutat e trajnerit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





