Transmetuar më 30-05-2014, 16:57

Podgoricë, 30 maj 2014, NOA.al- Policia e Shqipërisë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi policor me policinë e Malit të zi, në Podgoricë, në kuadër të sezonit turistik veror 2014.

Në kuadër të këtij protokolli, policia shqiptare dhe ajo malazeze, do të bashkëpunojnë dhe organizojnë shërbime të përbashkëta të punonjësve të policisë së rendit dhe të policisë kriminale në territorin e Malit të Zi, për t’i ofruar një shërbim sa më cilësor, sa i përket rendit e sigurisë, qytetarëve shqiptarë, që do të kalojnë pushimet në Malin e Zi dhe anasjelltas.

Policia e Shqipërisë bën të ditur se është viti i tretë që policitë e të dy vendeve bashkëpunojnë me ekipe të përbashkëta të policisë.

“Gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të policive Shqiptare dhe Malazeze, dhe delegacioneve që i shoqëronin, u evidentuan gjithashtu fushat në interes të bashkëpunimit  të policive të të dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta që do të ndërmerren për të parandaluar e goditur fenomenet kriminale, në mënyrë të veçantë sa i përket krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, trafikut të armëve, kontrabandimit të personave etj., duke përcaktuar dhe modalitet e bashkëpunimit në këtë kuadër”, bën të ditur zyra e shtypit e policisë shqiptare.

Vëmendje e veçantë iu kushtua dhe masave të përbashkëta për krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë të veçantë gjatë sezonit turistik veror, ku evidentohet një fluks në rritje i qytetarëve që lëvizin përmes këtyre pikave.

Në përfundim të takimit Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi ndanë të njëjtin mendim se forcimi i bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve është faktor i rëndësishëm për një luftë sa më efikase ndaj fenomeneve kriminale dhe i shërben më së miri interesave të qytetarëve. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit