
Tiranë, 30 maj 2014, NOA.al- Bashkia e Tiranës ka shprehur shqetësimin e saj për neglizhencën e qeverisë, lidhur me përcaktimin e masave, kritereve dhe procedurave për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi.
“Ndryshimet e fundit në ligjin “Për transportet rrugore” përcaktojnë se: “Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas përballohen nga institucionet përgjegjëse””, ka bërë të ditur Eno Bozdo.
Ai shton më tej se deri më sot, nuk ka asnjë buxhet të alokuar nga këto institucione shtetërore, në mbështetje të shtresave në nevojë. Sipas Bozdos, përcaktimi i kritereve përkatëse, sipas kërkesave të vetë ligjit, bëhet me VKM dhe deri tani, nga ana e qeverisë, nuk ka asnjë vendim për këtë çështje.
“Në mungesë të vendimmarrjes, kategoritë që përfitojnë transport falas dhe konkretisht invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë dhe shoqëruesit e tyre, invalidët e punës, të verbrit dhe shoqëruesit e tyre, jetimët që nuk janë në marrëdhënie pune si dhe studentët që përfitojnë tarifë transporti të reduktuar rrezikojnë të mos e përfitojnë këtë privilegj”, është shprehur Bozdo.
Ai ka thënë se Bashkia e Tiranës u kërkon institucioneve përgjegjëse dhe në këtë rast ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe asaj të Arsimit të përmbushin detyrimet ligjore që parashikon ligji për këto kategori, në mënyrë që atyre të mos u vështirësohet edhe më shumë jeta.
“Bashkia e Tiranës u kërkon operatorëve, të vazhdojnë të plotësojnë detyrimet kontraktuale. Në të kundërt, Bashkia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të parashikuara në ligj dhe në kontratat me operatorët”, ka përfunduar Enno Bozdo. /a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





