
Tiranë, 30 maj 2014, NOA.al- Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi i shoqëruar nga kryetarja e delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Valentina Leskaj priti në një takim të veçantë Kryetarin e Grupit Parlamentar të Social-Demokratëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andreas Gross, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit kreu i grupit kuvendor socialist, e njohu Gross me reformat e ndërmarra nga qeveria në drejtim të realizimit të prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, siç janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe modernizimi i administratës publike.
Ruçi e njohu gjithashtu Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Bashkimit Europian me zhvillimet e fundit politike në vend duke u ndalur tek suksesi i deritanishëm i Qeverisë shqiptare në shumë sektorë të rëndësishëm dhe jetik, ndryshimin e funksionimit të Parlamentit dhe parlamentarizmit në vend.
Kryetari i Grupit Parlamentar njëherësh Kryetari i Asamblesë Parlamentare të PS, Gramoz Ruçi shprehu bindjen për suksesin e Qeverisë dhe Parlamentit në realizimin me sukses të “detyrave të shtëpisë” në përputhje me prioritetet e vendosura nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.
Nga ana e tij, Kryetari i Grupit Social-Demokratëve në Asamblenë e KiE, Andreas Gross, vlerësoi pozitivisht ecurinë e deritanishme të reformave të ndërmarra ndërsa shprehu gjithashtu vlerësime për punën dhe qeverisjen bindëse të këtyre muajve.
Ruçi mori nga Kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Asamblenë e KiE përgëzime për progresin real që Shqipëria ka shënuar këto muaj dhe mbështetjen për vazhdimin në rrugën e reformave./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





