Transmetuar më 30-05-2014, 10:58

Tiranë, 30 maj 2014, NOA.al- Gjatë një aktiviteti me temë, “Konferenca për afrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian”, Kryeministri Edi Rama tha se procesi i integrimit për qeverinë e kaluar ishte një ligj shkrimi, ndërsa për qeverinë aktuale një ligj zbatimi.

Sipas tij për të qenë të suksesshëm në zbatim, procesi i zbatimit duhet të jetë një proces gjithëpërfshirje.

“Ekspertë vendas dhe të huaj po punojnë për ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili është baza për një sistem modernizues. Ne i kishim vendosur vetes një afat që ky ligj të kalonte në Parlament në këtë sesion, por e pamë të udhës ti japim vetes më shumë kohë sepse drafti ka ngjallur interes dhe ka ende kontribute që duhet të merren. Nuk duhet të jetë thjesht një tekst, por një instrument i zbatueshëm, ku ligji zbatohet nga njerëzit e sistemit”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se edhe për kodin doganor është punuar për muaj me radhë me sipërmarrjen, duke u marrë mendimet e tyre dhe duke u afruar më shumë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Ai tha se besohet shumë se të gjitha ligjet kryesore do të jenë ndërtuar me gjithëpërfshirje, me synim që të jenë më efikasë dhe të prekshëm.

Sfida jonë është sfida e qeverisjes, u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar se duhet garantuar regjimi i ligjzbatimit, duke ndryshuar kulturën e ligjit.

Rama tha se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, ku u shpreh se të gjitha sfidat përballohen më mirë të bashkuar se sa të ndarë.

Nga ana e tij kryeparlamentari Ilir Meta e cilësoi integrimin si prioritet, ndërsa shtoi se Kuvendi mbështet punën për afrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian.

Kreu i Kuvendit u shpreh se përvoja e suksesshme e zgjerimit të Bashkimit Europian, orienton se ky integrim mund të arrihet vetëm kur ka konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, duke dhënë kontribute që ky proces të përshpejtohet.

“Duke punuar së bashku mazhorancë dhe opozitë ne jo vetëm do të plotësojmë kushtet që kërkohen për integrimin, por do të shënohen standarde të larta”, u shpreh Meta.

Meta tha se procesi i integrimit europian dhe harmonizimi i legjislacionit të brendshëm me legjislacionin e Bashkimit Europian, ka rezultuar si një sfidë mjaft e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë.

“Aspektet kryesore të kësaj sfide janë: Së pari detyra thelbësore e Kuvendit në periudhën para aderimit për të siguruar kontrollin politik ndaj qeverisë gjatë procesit të pranimit në Bashkimin Europian. Së dyti, Kuvendi i Shqipërisë në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, duhet të harmonizojë në një periudhë të shkurtër kohore legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, legjislacion i cili është zhviluar për dekada me radhë”, tha z. Meta.

Duke falënderuar Bashkimin Europian për asistencën dhe ndihmën e vazhdueshme që i akordon institucioneve tona, në veçanti Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit tha se përvoja e suksesshme e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore na mëson se objektivi i aderimit në Bashkimin Europian mund të arrihet vetëm kur ka konsensus mes mazhorancës dhe opozitës në çështjet kryesore dhe për një periudhë afatgjatë.

“Integrimi në Bashkimin Europian është një qëllim kombëtar dhe asnjë forcë politike nuk duhet të pengojë në arritjen e këtij objektivi madhor. Përkundrazi duhet të shtojë kontributet në mënyrë që ky proces të përshpejtohet. Aderimi në Bashkimin Europian duhet të shihet si një përpjekje e përbashkët për të ecur përpara së bashku dhe si një proces i cili është dobiprurës për të gjithë ne qytetarët e këtij vendi. Duke punuar së bashku mazhorancë dhe opozitë për vendin tonë dhe qytetarët tanë, jo vetëm që do të plotësojmë kushtet që kërkon Bashkimi Europian për aderimin, por ajo që është më e rëndësishmja do të arrijmë standarde më të larta në jetën institucionale dhe politike, por sidomos në atë ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë. Faleminderit dhe i uroj suksese Konferencës”, theksoi z. Ilir Meta.

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço tha se në përgjigje të 5 prioriteteve kyçe të identifikuara nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian 2013, dhe me qëllim avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Qeveria ndërmori një sërë hapash dhe masa konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të konkretizuar në një plan veprimi.

“Në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë është marrë angazhimi për hartimin e një ‘UDHËRRËFYESI’, i cili zbërthen në një set masash me hapa dhe përgjegjësi të qarta për çdo institucion, të gjitha detyrimet për përmbushjen e 5 prioriteteve. Masat e parashikuara në këtë “UDHËRRËFYES” shprehin angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, në parashikimin dhe zbatimin e çdo iniciative dhe aktiviteti të nevojshëm për plotësimin e prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian”, tha z. Naço.

Ministri Naço deklaroi se përafrimi i legjislacionit dhe i standardeve me ato të BE-së është në proces dhe mbetet sfidë madhore për Shqipërinë, duke garantuar se reformat në sistemin e drejtësisë do të flasin të njëjtën gjuhë me atë të Brukselit.

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha theksoi se përafrimi i legjislacionit të brendshëm luan rol të qenësishëm gjatë negociatave të anëtarësimit.

“Me përjashtim të kushtëzimit politik dhe Kapitullit 23, një pjesë e madhe e procesit të anëtarësimit ka të bëjë me përafrimin e ligjeve dhe negocimin e dispozitave kalimtare për aplikimin e të drejtës së BE-së. Përafrimi mbulon acquis të BE-së në tërësinë e vet; pra, bëhet fjalë për qindra akte normative si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, tha znj. Gjosha, e cila shtoi se përvoja e mjaft anëtarëve të rinj të BE-së, vërteton se përafrimi përshpejtohet kur vendi është në pritje të negociatave të anëtarësimit.

“E gjithë administrata publike dhe Parlamenti duhet të punojnë krah për krah për ta arritur këtë objektiv. Një gjë është e qartë: përafrimi ligjor nuk mund të bëhet me ngut dhe në momentin e fundit. Përafrimi kërkon një plan të hollësishëm të ideuar me kujdes. Pikërisht ky është qëllimi i Planit Kombëtar për Integrimin Evropian të cilin qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht ta vërë në zbatim”, tha znj. Gjosha.

Ministrja e Integrimit Europian, nënvizon se një prej principeve kryesore të Integrimit Evropian është nënshtrimi ndaj forcës së ligjit dhe se gjithçka që bëhet për të ndërtuar një shtet demokratik, duhet të jetë organizuar në mënyrë të tillë që të mbrojë ligjin.

/a.y/noa.al/

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën mbi përafrimin e legjislacionit me BE-në

Dëshiroj që në këto minuta që zemërgjerësisht më janë vënë të dispozicion, të përqendrohem tek një aspekt tjetër i përafrimit të legjislacionit, që ka të bëjë me zbatimin.

Unë besoj se përafrimi nuk është thjesht një proces përngjasimi i teksteve të Bashkimit Europian me tekstet e legjislacionit shqiptar, por është një proces zbatimi i normave ligjore të Bashkimit Europian, në një realitet që ne duam ta transformojmë në pjesë integrale të realitetit të Bashkimit Europian.

Kur erdha, shkëmbyem disa fjalë me rektorin e Universitetit, lidhur me ligjin për Arsimin e Lartë. Po bëjmë një punë si asnjëherë tjetër, për të përfshirë tw gjithë në proces, për të përfshirë përfaqësuesit e atij që sot e gjithë ditën njihet si arsimi shtetëror, përfaqësues të atij që njihet si arsimi privat, ekspertë vendas e të huaj, profesorë shqiptarë që punojnë në universitete prestigjioze në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Pikërisht, sepse duam që ligji i ri për Arsimin e Lartë të jetë jo vetëm një tekst modernizues, po të jetë baza e një procesi modernizimi dhe gjithëpërfshirës.

Edhe pse ne i kishim vendosur vetes një afat, që ky ligj t’i kalonte parlamentit në këtë sesion, e pamë të udhës t’i japim vetes më shumë kohë, pikërisht sepse drafti ka ngjallur shumë interes dhe sepse ka ende shumë kontribute që mund të merren. Kështu që, gjithë periudhën e verës do ta shfrytëzojmë për të formësuar plotësisht një ligj, i cili nuk do të jetë thjesht një tekst, por një instrument i zbatueshëm nga ata për të cilët, ai ligj bëhet, nga njerëzit e sistemit.

E, ky është një shembull për të thënë se këtu, ne shohim një dallim të madh të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe qeverisë së ikur falë zgjedhjeve të 23 qershorit. Për ta, procesi i integrimit ishte ligjshkrimi. Për ne, procesi i integrimi është proces ligjzbatimi.

Nëse mbetemi tek ligjshkrimi, ndërtojmë një Shqipëri europiane në letër, por një Shqipëri të ndryshme nga ajo që njerëzit jetojnë jashtë dyerve të bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë. Kur themi se Europa është një destinacion brenda nesh dhe kur e kemi përcaktuar integrimin europian si procesi ribashkimi me Europën, kemi pasur parasysh pikërisht rritjen e demokracisë së përditshme, falë ligjzbatimit të gjithë atyre teksteve që përafrojnë me legjislacionin europian.

Kjo do të thotë se ne jemi të orientuar nga rezultatet, që ky proces përafrimi sjell për qytetarin, sjell për komunitetet, sjell për shoqërinë dhe sjell për vendin, në rrugën e integrimit europian dhe jo nga sasia e ligjeve që duhet të prodhojmë për të qenë në rregull.

Fjala vjen, pa qenë detyrim i BE-së ende, sot, Kodi i ri Doganor i Republikës së Shqipërisë ka marrë rrugën e Kuvendit, pasi ka marrë miratimin në mbledhjen e pardjeshme të Qeverisë dhe është një Kod Doganor tërësisht i përafruar me Kodin e ri Doganor të Bashkimit Europian, që daton vetëm dy vjet më parë. Nuk na e ka kërkuar kush, por e bëmë sepse e shikojmë këtë aspekt që ka të bëjë me regjimin doganor të Republikës së Shqipërisë si një aspekt themelor të modernizimit të vendit dhe si një aspekt themelor i transformimit të marrëdhënies mes shtetit dhe sipërmarrjeve.

Është një sfidë shumë e madhe, se është një Kod shumë demokratik, në kuptimin që i jep sipërmarrjes një epërsi shumë të madhe në raport me administratën dhe i heq administratës, instrumente që deri më sot i ka në dispozicion dhe mundësinë për t’i keqpërdorur këto instrumente në dëm të sipërmarrjes. Wshtë një sfidë që ne kemi marrë përsipër ta përballojmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Çka do të thotë që deri janarin e viti të ardhshëm duhet të përgatitemi shumë fort që, nga njëra anë, dakord, t’i garantohet sipërmarrjes, importuesve dhe eksportuesve një kuadër tërësisht i ri marrëdhëniesh me shtetin në doganë, por, nga ana tjetër, mos humbasim nivelin e të ardhurave.

E për të qenë të suksesshëm në zbatim, besoj se është shumë e rëndësishme ajo që thashë edhe më parë, që procesi i ligjvënies të mos jetë thjesht një proces përkthimi dhe adoptimi i ligjeve të BE-së, por të jetë një proces gjithëpërfshirjeje. Edhe për Kodin Doganor, ne kemi punuar më shumë se dy muaj me sipërmarrjen dhe dokumenti i është vënë në dispozicion, gjithë shoqatave dhe gjithë organizmave të brendshëm të sipërmarrjes në vend dhe iu janë marrë mendimet e opinionet. Ashtu sikundër i është vënë në dispozicion edhe ekspertëve dhe akademikëve, për të marrë edhe mendimet e krahut tjetër.

Kështu që besojmë shumë  qw dhe të gjitha ligjet kryesore do të jenë të ndërtuara në këtë formë, në mënyrë që procesi i përafrimit të jetë një proces transformimi kulturor, në rrugën e mirëqeverisjes dhe në rrugën e një procesi legjislativ që duhet të jetë gjithmonë e më transparent, gjithmonë e më gjithë përfshirës dhe gjithmonë e më garantues, për të gjithë ata për të cilët ligjet bëhen dhe për të gjithë ata që preken nga reformat dhe ndryshimet ligjore.

Nga ana tjetër, s’ka dyshim se qëndrueshmëria në zbatim lidhet me vetë qëndrueshmërinë e institucioneve të shtetit.

Arsyeja pse kombet dështojnë apo vonohen, nuk është gjeografike, nuk është kulturore, nuk është as historike, nuk është as klimaterike, por edhe thjeshtë dhe vetëm e lidhur me sa kanë apo nuk kanë institucionet, sa institucionet janë në gjendje të përballojnë sfidën e bashkëjetesës ashtu siç duhet dhe të garantojnë brenda kornizës së bashkëjetesës çdonjërin prej individëve dhe çdonjërin prej komuniteteve, si një pjesë e domosdoshmërisë për barazi para ligjit. Në këtë kuptim, sfida jonë është kalimi në një fazë të re të jetës së institucioneve dhe ndryshimi i rolit të institucioneve në funksion të qëndrueshmërisë se shtetit dhe të zbatimit të ligjeve. Për shembull është shumë e vështirë ta imagjinosh një shqiptar që t’i japë makinës pa rrip sigurimi në Gjermani, por nuk është e vështirë që të imagjinosh një gjerman që nuk e vë rripin e sigurimit në Shqipëri. Sepse unë e kam parë një gjerman pa rrip sigurimi në Shqipëri. Shqiptarë pa rrip sigurimi Gjermani nuk kam parë dhe nuk e imagjinoj dot. Kjo lidhet pikërisht me faktin që njeriu pavarësisht se ku ka lindur, pavarësisht se ku është rritur, është një qenie që sillet në mënyra të ndryshme, në situata të ndryshme dhe në sisteme të ndryshme, dhe aty ku institucionet janë të ndryshme. Nuk është e rastit që ka shumë shembuj në këtë botë sesi i njëjti popull i ndarë në një kufi dhe i ndarë në dy sisteme, ka dy sjellje komplet të ndryshme dhe dy nivele të cilësisë së jetës komplet të ndryshme.

“Të shkruash ligje është e thjeshtë, të qeverisësh është e vështirë” – e thoshte Tolstoy tek “Lufta dhe Paqja”. Dhe sfida jonë, sfida e rajonit tonë është sfida e qeverisjes, nuk është sfida e shkrimit të ligjeve. Sfida e qeverisjes, si sfidë e ligjzbatimit në funksion të modernizimit dhe në funksion të kalimit të ligjzbatimit nga subjekti tek institucioni, nga hapësira subjektive e një grushti njerëzish që qeverisin tek hapësira e institucioneve për të garantuar regjimin e ligjzbatimit, pavarësisht njerëzve që qeverisin.

Sot, në Shqipëri dhe në rajon, ne jemi të sfiduar të ndryshojmë pikërisht kulturën e ligjit dhe rendin ligjor si rend bashkëjetese që na dallon sot nga Bashkimi Europian dhe që na lë sot ende jashtë zyrave të Bashkimit Europian. Për këtë arsye, besoj është shumë i rëndësishëm procesi i integrimit si një instrument unikal, si një instrument i pazëvendësueshëm, si instrument që asnjë popull dhe asnjë vend nuk do mund ta shpikte dot për veten e tij dhe si një instrument që për ne vjen realisht si një bekim për ta përdorur në gjithë këta vite, deri në ditën e anëtarësimit, në funksion të një transformimi që pa këtë instrument është i pamundur.

Duke e mbyllur fjalën time, besoj se Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Nuk diskutohet kjo. Por besoj shumë sot, që sa ç’ka nevojë Shqipëria për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Evropian për Shqipërinë; sa ç’ka nevojë Ballkani për Bashkimin Evropian, ka nevojë Bashkimi Europian për Ballkanin.

E, të mos e harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në Bashkimin Europan janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, sfida  në luftën kundër krimit të organizuar. Le ta pranojmë që krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Europa e Bashkuar, nuk ka burokraci, nuk ka Komision, nuk ka benchmark-e, nuk ka procese që e pengojnë për t’u integruar dhe është kaq i globalizuar, saqë sot është e pamundur që të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi. Në Shqipëri nuk ka krim të organizuar shqiptar, por ka krim të organizuar ndërkombëtar, që ka edhe një degë të vetën në Shqipëri. Po të shohësh komunikimet dhe numrat e telefonit të lidhura me rrjetin kriminal, ato kanë shumë prefikse. Shqiptarët kanë edhe aftësinë që flasin shumë gjuhë në të njëjtën kohë, kështu që për këtë arsye janë më të preferuar, nganjëherë më shumë se të tjerët, për t’u përfshirë në këto forca e mëdha të krimit. Për këtë arsye integrimi është i domosdoshëm dhe për këtë arsye Shqipëria i duhet Bashkimit Europian brenda dhe për këtë arsye Ballkani i duhet Bashkimit Europian brenda, në mënyrë që ndërveprimi në luftën kundër krimit të organizuar të jetë një ndërveprim pa kufij, ashtu siç krimi i organizuar nuk ka kufij. Të jetë një ndërveprim i menjëhershëm dhe të jetë një ndërveprim i të njëjtës forcë. Në këtë mënyrë Bashkimi Europian do të jetë shumë më i siguritë. Me një Ballkan aty tek dera, me derën mbyllur, Bashkimi Europian është shumë më pak i sigurt. Besoj shumë që, ashtu sikundër, me të drejtë, Bashkimi Europian i dha Serbisë hapjen e negociatave, duhet t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet t’i japë Kosovës lirinë për të lëvizur. Se edhe ky është një absurd më vete, se lëviznin dje kur ishin në diktaturë dhe shkonin ku të donin, tani që janë të pavarur duhet të rrinë brenda se nuk kanë viza.

Në këtë kontekst të ri paqeje, në vitin e parë në historinë së Ballkanit, në 2014-ën, që është pa konflikte, që është 100-vjetori i një Lufte të I-rë Botërore, që nuk duhet ta harrojë asnjë njeri që filloi në Ballkan dhe 100 vjet iu deshën Ballkanit që të arrijë në këtë moment paqeje. Askush në Europë s’duhet ta harrojë që kjo paqe erdhi se ballkanasit u bënë më të mirë, as se pa pritur e pa kujtuar ramë në dashuri me njëri- tjetrin, por sepse të gjithë së bashku  i vumë vetes perspektivën europiane mbi trashëgiminë e konfliktit. Të gjithë së bashku kuptuam se opinioni publik në Serbi, në Shqipëri e kudo tjetër kërkon BE përtej kufijve të të shkuarës.

Është Europa fjala kyç na sjellë sot në këtë paqe.

Është Europa e Schuman-it, është Europa e Jean Monet, është Europa e Adenauer, e De Gaulle, e Helmut Kohl, e François Mitterrand, që i ka bërë që shqiptarët, serbët, malazezët dhe të tjerët të gjithë me radhë, maqedonasit, boshnjakët që të besojnë tek Evropa. Evropa e liderëve të sotëm duhet të jenë në lartësinë e këtij besimi të madh që njerëzit e këtij rajoni kanë, për të mos i lënë shteg një zhgënjimi të ri. Sepse Ballkani e ka treguar se luftën e ka shumë më të lehtë sesa paqen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit