
Tiranë, 30 maj 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka shpërndarë këstin e radhës për 80 ish-të përndjekur politikë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ai komentoi edhe grevën e urisë të një grupi ish-të përndjekurish, duke thënë se personi që drejton grevën nuk ka bërë asnjë ditë burg.
“Ditët e fundit kemi pasur një debat për këstet e dëmshpërblimit dhe për disa njerëz që kanë hyrë në grevë sepse kërkojnë këstin e tretë. Por, ne nuk mund të jemi një shoqëri, ku disa marrin tre këste dhe disa të tjerë nuk kanë marrë ende këstin e parë. Fatmir Hoxha nuk ka bërë asnjë ditë burg. Nëna e tij e cila ka bërë 9 muaj burg u shpërblye, duke marrë 19 milionë lekë burg. Ai bën grevë për ish-burrin e motrës që është në Bruksel”, tha Veliaj.
Ministri bëri me dije se Hoxha akuzohet se ka vjedhur pronat e ish-pronarëve dhe për këtë është denoncuar.
Veliaj shtoi se fillimisht do të merren këstet e para dhe më tej të tjerët, duke shtuar se ndonëse nuk do të merren sa kanë marrë ata që janë në grevë, do të vijohet më tej me dëmshpërblimet.
Para godinës së Parlamentit, një grup ish-të përndjekurish politikë kanë ngritur një çadër, pranë Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, ndërsa ndodhen në ditën e tretë të grevës .
Pesë kërkesat e tyre:
– Dëmshpërblim brenda 2 viteve të të gjitha kësteve
– Status special për ish- të përndjekurit që janë gjallë
– Rikthim në administratë
– Shtimi në dëmshpërblim të internimit
-Dënimi i figurës së diktatorit Enver Hoxha./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





