Transmetuar më 29-05-2014, 20:27

Dajti ish-të përndjekurve: Para se të futeni në grevë, pastrohuni nga akuzat Tiranë, 29 maj 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë së Punës të Riorganizuar, Marko Dajti, u k bërë thirrje ish të persekutuarve, që përpara se të hyjnë në grevë urie, të shkojnë në gjykatë dhe të marrin vendimin e pafajësisë, pasi sipas tij, ata akoma nuk kanë pastruar veten e tyre nga akuzat me të cilat janë dënuar.

“Edhe brezat që do të vijnë do t’i quajnë hajdutë ish-të përndjekurit politikë, pasi marrin para nga taksapaguesit shqiptarë pa marrë pafajësinë. Në këtë rast qëndrimi ynë është i prerë: Të ndalohet një herë e përgjithmonë kjo maskaradë e iniciuar nga Sali Berisha që fabrikoi dhjetëra mijëra gjoja të përndjekur, duke futur në të njëjtin thes si të dënuarit për krime politike, ashtu edhe ata që në të vërtetë dënimin kryesor e kishin për arsye ordinere, dhe akuzën politike vetëm si shtesë”, thotë Dajti.

Sipas tij, pa u ndarë përfundimisht të dënuarit politikë nga ato ordinerë, nuk do të ketë drejtësi edhe për vetë kauzën e të përndjekurve. Ai shton se dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, nuk do t’i hapin dot. Sipas tij, në rast se hapen, do të dalë se në këto gjyqe janë të përfshirë të gjithë si dëshmitarë të njëri-tjetrit apo spiunë.

“Ne mbështesim pa rezerva grevën e shoqatës së të larguarve nga puna dhe dënojmë ashpër çdo largim nga puna të njerëzve të aftë dhe të kualifikuar. I bëjmë thirrje qeverisë që të mos nxitohet të largojë njerëz nga puna që janë të kualifikuar dhe me eksperiencën e duhur. Është krim të dëgjosh që në vitin 2014 njerëzit të vetëvriten për shkak të humbjes së vendit të punës, pasi kanë vite që punojnë në dobi të atdheut dhe të shtetit. Edhe sikur të mos kenë shkollën përkatëse, ata kanë eksperiencën e fituar në punë që në kohën e Partisë së Punës”, shprehet Dajti.

Sipas tij, ndërsa Shqipëria po zhytet në krizën më të thellë ekonomike të dy dekadave të fundit, ndërsa shqiptarëve po u shkon përditë e më shumë thika në palcë, në Kuvendin e Shqipërisë kusarët dhe barbarët hidhnin baltë mbi Enver Hoxhën dhe akuzonin njëri-tjetrin se kush ishte më shumë enverist.

“Këta mostra të politikës kujtojnë se edhe pas më shumë se 20 vjetësh do të mund të përdorin kartën e antikomunizmit dhe antienverizmit për të çuar deri në fund zullumet e tyre. Por e kanë të kotë. Sa më shumë të shajnë e të hedhin baltë mbi të kaluarën, aq më shumë populli do të kuptojë dallimin e madh mes këtyre pseudo-politikanëve dhe Enverit. Sa më shumë të zhyten në batakun e hajdutllëkut ordiner, aq më shumë afron ora e ndëshkimit. E vërteta vonon, por nuk harron”, përfundon Kryetari i Partisë së Punës të Riorganizuar, Marko Dajti./a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit