
Skënderbeu, kampion për të katërtën herë radhazi në Kategorinë Superiore, ka koefiçientin më të lartë ndër skuadrat shqiptare në listën e klubeve më të mira europiane, që është publikuar nga UEFA.
Ky klasifikim, që kryesohet nga ekipet më të mëdha si Real Madrid, Bayern i Mynihut, Chelsea dhe Benfika, hartohet në bazë të rezultateve të arritura në kompeticionet europianë Champions dhe Europa League në 5 vitet e fundit.
Ekipi korçar renditet në vendin e 276, nga 453 klube të përfshira në listë, ndjeshëm i shkëputur nga Tirana, që megjithëse nuk ka marrë pjesë në kompeticionet Europiane sezonin e fundit, mban pozicionin e 321.
Pas Tiranës vjen skuadra surprizë e sezonit të kaluar, Kukësi, që falë kualifikimit në tre raunde në Europa League, ka grumbulluar 362 pikë, duke lënë pas më shumë se 110 skuadra, ku bëjnë pjesë dhe 6 ekipe shqiptare, Dinamo, Flamurtari, Vllaznia, Teuta, Besa dhe Laçi.
Bie në sy fakti, që shumica e ekipeve shqiptare që bëjnë pjesë në këtë listë renditen në pjesën më të ulët të klasifikimit, ç’ka tregon dështimin e tyre në kompeticionet europiane.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





