Transmetuar më 29-05-2014, 12:52

Tiranë, 29 maj 2014, NOA.al- Qysh në nisje të seancës parlamentare, opozita akuzoi mazhorancën se po ushtron dhunë mbi deputetët e saj.

Deputeti demokrat Eduard Halimi denoncoi incidentin e ndodhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku u përfshinë deputetët Armando Prenga, Xhemal Qefalia, Gentian Bejko dhe Gent Strazimiri.

Deputeti demokrat tha se goditja ndaj deputetit Strazimiri ishte e qëllimshme, pasi ai akuzoi Edi Ramën për narkotrafikun.

“Deputeti Strazimiri tha gjëra të guximshme për Edi Ramën, ndaj u dhunua. Është përgjegjësi e Ramës pasi ai mban përgjegjësi direkte për çdo deputet, që ka sjellë me listën e shkuar me dorën e tij. Ai urdhëroi sulmin politik”, deklaroi Halimi.

Në vijim ai nënvizoi se të gjithë i panë narkotrafikantët që transportonin drogë të pashqetësuar dhe për t’iu mbyllur gojën qytetarëve dhe opozitës, Kryeministri Rama urdhëroi agresionin.

Nga ana e saj ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha se deputeti Strazimiri tha të vërteta të frikshme për Edi Ramën.

Ajo u shpreh se mafia është ulur këmbëkryq në institucione dhe se avioni i Divjakës provoi akuzat e thëna prej kohësh nga opozita.

Në replikë me ta deputeti socialist Taulant Balla, tha se urdhrat politikë morën fund më 23 qershor. Ai tha se reformat e qeverisë e afrojnë më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian.

Duke iu drejtuar ish-Kryeministrit Sali Berisha, ai kërkoi që ta lërë vendin rehat.

Në reagimin e tij ish-Kryeministri Sali Berisha i tha deputetit Balla se nuk mund të bëjë biografinë e grevistëve, të cilët po vetëflijohen, por duhet të mbyllë gojën.

Berisha deklaroi se Kryeministri Edi Rama është i mbytur në skandale, ndërsa shtoi se ai mendon se me akte rrugaçërie do ketë mundësi të kapërcejë skandalet në të cilat është mbërthyer.

“Dje u shkarkua numri dy i policisë. Drejtoresha e Arsimit u largua nga puna se merrte 6 mijë euro për emërim. Me se do i kapërcesh ti këto duke krijuar incidente të ulëta në Parlament. Sot një tjetër hero i tij u arrestua se falsifikoi pasaportat në grevën ku dogji për së gjalli ish- të përndjekurit”, u shpreh Berisha, referuar arrestimit të Asllan Patriotit.

Ai akuzoi Kryeministrin se e ka shndërruar krimin në sistem.

Rama: I futët ju në grevë

Duke marrë fjalën gjatë seancës parlamentare Kryeministri Edi Rama tha, “Hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur nuk e nxjerrin dot. Por këta nuk e pengojnë dot rrugën tonë të integrimit. Këta nuk duan që të sabotojnë statusin, por këta kështu janë, pasi nuk dinë të bëjnë gjë tjetër”.

Duke u ndalur në vizitat e tij jashtë shtetit, ai tha se qeveria mund t’ia dalë të qeverisë ndryshe dhe ti rikthejë dinjitetin vendit dhe për këtë arsye po vlerësohet nga ndërkombëtarët.

“Ju vini këtu dhe na thoni për trima dhe trimëresha që duan të vetëflijohen. Për kë e keni fjalën për gjithë ata që i keni futur ju në grevë. Kjo grevë është thjesht dhe vetëm ta respektojmë si grevë, por më shumë nuk mund të bëjmë. Por përpara se të nisim dialogun edhe me ish-të përndjekurit në grevë, duhet të dalë kryetari i grevës i cili nuk ka bërë asnjë ditë burg”, u shpreh Rama, referuar dy grevave të urisë, asaj të të larguarve nga puna dhe e ish-të përndjekurve.

Në vijim ai tha se në tetë vite ish- të përndjekurit nuk u shpërblyen nga qeveria dhe se kësti i parë që nga nisja e qeverisë së re u dha për 1000 ish-të përndjekur.

Berisha: Mbulimi i skandaleve, i turpshëm

Në replikë me Kryeministrin, deputeti Berisha tha se koha e Ramës ka marrë fund pasi ka nxjerrë nga goja gënjeshtra dhe marrëzira sa që askush se beson më.

“Kur një i marrë të mashtron një herë edhe ndodh, po po të mashtroi për së dyti i marrë je ti që mashtrohesh. Dua të them se akti yt, kurthi yt për të krijuar situata të rënda për të mbuluar skandalet e tua, është i turpshëm. Taktika e këtij zotërisë është që të mbulojë gjithçka”, tha Berisha.

Replika Islami- Rama- Berisha

Deputeti demokrat Kastriot Islami, e cilësoi Kryeministrin Edi Rama si enverist, ndërsa tha se ai është i lumtur në budallallëkun e vetë.

Në replikë me të Rama tha, “Sikur të ngjallej shoku Enver, kë nga ne të tre do të njihte? Sigurisht sekretarin e vetë të partisë, edhe profesorin e vetë që e bëri kryetar Parlamenti, mua nuk do më njihte. Mund të qëllojë që të lindësh dhe të jesh nipi, mbesa dhe djali apo vajza e dikujt, por ama që të jesh me mendtë e tua, me këmbët e tua dhe të shkosh ti rrish te dera e mos të hapin derën, mua nuk më ka ndodhur. Është fatkeqësi të merreni me të kaluarën”. Ai tha se pavarësisht të gjithave sfida kryesore, është ajo e statusit.

Rama deklaroi se Enveri më keq se kaq nuk mund t’ua punonte demokratëve, "E la partinë në duart e Saliut dhe Kastriotit".

Nga ana e tij ish-Kryeministri Sali Berisha tha se, “Drama më e madhe e tij ka qenë dështimi për tu bërë dhëndri i Enverit. Kalonte në muret e muzeut me lule në dorë, me synimin për të dorëzuar lulen në destinacionin e duhur. Vdekja e Enver Hoxhës e gjeti të sfazuar”.

Por kreu i qeverisë tha se ëndrrën për tu bërë dhëndërr mund ta ketë pasur Berisha, pasi siç tha ai ka qenë shumë i ri.

Në një replikë tjetër deputeti Islami tha se "Ishe ti o burrë që mu lute si të llogarisnim Kodin Zgjedhor për të zhdukur Ilir Metën".

Debate për trafikun e drogës

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish Kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në trafikun e drogës.

Ai ka kërkuar ngritjen e komisionit hetimor për këtë çështje duke thënë se duhet bërë transparencë.

Në reagimin e tij Kryeministri Rama tha se komisioni hetimor u ngrit dhe së shpejti do të sillen edhe provat lidhur me këtë çështje, prova të cilat do të dërgohen në Prokurori.

“Çohu ti bëhu burrë i pari, shko ti i pari në Prokurori, provo një akuzë të vetme. Kur nuk e ke kurajën që të përballesh një herë të vetme me lumin e akuzave të tua dhe t’iu thuash shqiptarëve provat dhe këtë se provon dot, kjo është fatkeqësia e madhe. Ti je prova e gjallë, kur dikush akuzon tjetrin për diçka për të cilën nuk ka prova është në gjendje ta bëjë vetë. Ti akuzon familjet se janë përfshirë në çështje të rënda, se ashtu e ke përfshirë familjen tënde”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit