
Tiranë, 29 maj 2014, NOA.al- Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e tij ka rrëzuar dy kërkesa të Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço.
Ministri kishte kërkuar masë disiplinore për katër gjyqarë, ndërsa për dy prej tyre kjo kërkesë u rrëzua.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë dha vërejtje për dy gjyqtarë, Kaçe Agolli, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës dhe Lindita Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës.
Po ashtu kërkesa e ministrit Naço për shkarkimin e gjyqtarit I.Hoxha, u rrëzua nga shumica e anëtarëve të KLD, ndërsa u rrëzua edhe kërkesa e Ministrit të Drejtësisë, për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtarit V.D.
Në vijim të rendit të ditës, Këshilli diskutoi dhe miratoi me shumicë votash Raportin e Veprimtarisë së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2013.
Këshilli miratoi kërkesën e znj. Albana Boksi, për kthimin në funksionin e mëparshëm të gjyqtares në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, pas përfundimit të periudhës së lejes të akorduar nga KLD.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit diskutuan për projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”, në përgjigje të kërkesës së Ministrit të Drejtësisë në cilësinë e hartuesit të tij, për të marrë opinionin e Këshillit për këtë çështje. Anëtarët e Këshillit mbajtën përgjithësisht një qëndrim kritik ndaj ligjit si edhe ndaj procedurës së ndjekur nga Ministri i Drejtësisë në hartimin e tij.
Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që të gjitha mendimet e anëtarëve në lidhje me këtë projektligj, i cili prek në thelb një nga kompetencat Kushtetuese të KLD-së, t’i përcillen ministrit të Drejtësisë zyrtarisht.
Në vijim të mbledhjes, Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e disa kryetarëve gjykatash. KLD në përputhje me procedurën ligjore pasi dëgjoi platformën e kandidatëve vendosi me shumicë votash emërimin si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, Isuf Shehu, si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda z. Sandër Simoni dhe si Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, Alltun Çela./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





