
Pas zyrtarizimit të trajnerit Shpëtim Duro dhe blerjes së Idriz Bathës nga Besa, Partizani bën goditjen e radhës në merkato, afron edhe kosovarin Argjent Mustafa, i cili sezonin e kaluar mbrojti gjithashtu ngjyrat e klubit kavajas, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë.
Akordi mes palëve i arritur gjatë kësaj të mërkure u konkretizua me prezantimin e 22-vjeçarit në ambientet e klubit.
Mustafa ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me të kuqtë, me të cilët synon të fitojë trofe, citon Supersport.
Ndërkohë mbetet ende e paqartë situata e Arbnor Fezjullahut, që sipas programit duhet të ishte prezantuar së bashku me Idriz Bathën.
Mësohet se 20-vjeçari, për të cilin drejtuesit e kuq pretendojnë se kanë paguar një shumë parash në arkat e Besës, kërkohet me ngulm edhe nga Tirana, ndaj ka kërkuar më shumë kohë për të thënë fjalën e fundit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





