
Legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer e sheh Brazilin si favoritin kryesor për të fituar Kupën e Botës.
68-vjeçari i referohet edhe triumfit të “Selecaos” në Kupën e Konfederatave për të argumentuar mendimin e tij, por nga ana tjetër beson se Gjermania mund t’i sfidojë 5 herë kampionët e Botës pikërisht në shtëpinë e tyre.
“E kam parë Brazilin të luajë shumë mirë gjatë Kupës së Konfederatave dhe mendoj se të njëjtën dëshirë do të shfaqë edhe në Botëror.
Realisht Brazilin mund ta sfidojë vetëm Gjermania. E di që përfaqësueset që kanë ngritur larg trofeun në Kupën e Konfederatave nuk e kanë fituar në të njëjtën periudhë Botërorin. Gjithsesi, sido që të bëhen llogaritë brazilianët janë favoritë.”
Më pas “Kaiser” i referohet historisë për të treguar se Gjermania vjen menjëherë pas Brazilit si favorite për ta fituar Botërorin.
“Historia e Kupës së Botës tregon që Brazili është ekipi më fitues, sepse e ka ngritur 5 herë trofeun, ndërsa ne gjermanët jemi të dytët, sepse kemi numrin më të madh të gjysmëfinale të luajtura.
Kemi një ekip të madh me Schweinsteiger, Ozil, Neuer, Gotze apo Reus. Thuajse të gjithë këta lojtarë janë produkt i akademive tona.”
Beckenbauer e ka fituar botërorin si lojtar në vitin 1974 në Gjermani, dhe si trajner në Itali, në vitin 1990, ku u hakmorr ndaj Argjeninës së Maradonës, e cila e kishte mposhtur në finalen e vitit 1986.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





