Transmetuar më 27-05-2014, 19:50

Tiranë, 27 maj 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme deputetët e mazhoranës, pas sherrit mes deputetëve Gent Strazimiri, Xhemal Qefalia dhe Armando Prenga. Akuza e paraqitur është “Goditje për shkak të detyrës”.

PD ka kallëuar deputetët Armando Prenga, Xhemal Qefalia dhe Gentian Bejko, të cilët, sipas kësaj partie, kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, kanë sulmuar fizikisht deputetin Gent Strazimiri.

Ja çfarë thotë Partia Demokratike në akt akuzë, në lidhje me rrethanat: “Në datën 27 Maj 2014, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Gent Strazimiri, anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka qenë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, duke shqyrtuar dhe diskutuar mbi çështje brenda rendit të ditës sipas Rregullores së Kuvendit.

Për një moment është larguar nga salla e mbledhjes për një pushim të shkurtër në korridorin e katit të II të Kryesisë së Kuvendit. Pa asnjë shkak dhe në mënyrë kriminale, 3 deputetë të Partisë Socialiste, konkretisht Armando Prenga, Xhemal Qefalia, dhe Gentian Bejko, e kanë ndjekur nga pas, dhe pasi e kanë fyer për shkak të detyrës dhe fjalës së mbajtur në mbledhje, e kanë agresuar atë fizikisht.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas deklarimeve të deputetit Gent Strazimiri dhe pamjeve filmike të qarta të transmetuara nga mediat, denoncon këtë veprim kriminal të kryer nga këto tre shtetas, si një agresion tërësisht penal dhe me prapavijë të qartë politike, me synimin që me dhunë të bëjnë opozitën parlamentare të heshtë.” /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit