Transmetuar më 27-05-2014, 17:03

Tiranë, 27 maj 2014, NOA.al- Ministria e Kulturës njofton se pritet të nënshkruajë një protokoll bashkëpunimi me Landin e Salzburgut, Austri, me synim bashkimin e forcave për të mbështetur të dyja palët, programin e shkëmbimit të artistëve nga Shqipëria dhe Austria si dhe që t’u jepet mundësia artistëve nga të dyja shtetet, që të njihen me sferën artistike dhe kulturore të shtetit tjetër, të krahasojnë veprat e tyre me ato të artistëve të tjerë ose t’i krijojnë bashkë ato.

“Qëllimi i këtij Protokolli, është krijimi i kuadrit të përgjithshëm, në bazë të të cilit palët do të mbështesin shkëmbimin e artistëve, duke mundësuar udhëtimin dhe qëndrimin e një artisti austriak në Shqipëri dhe të një artisti shqiptar në Austri. Kjo në mënyrë që t’i shërbejë nxitjes së shkëmbimit kulturor midis artistëve nga të dy shtetet”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Kulturës.

Për të arritur realizimin e këtij qëllimi, nëpërmjet këtij protokolli do të garantohen nga dy bursa për artistët e përzgjedhur, me anë të së cilave duhet të mbulohet pjesa më e madhe e shpenzimeve për një qëndrim nga 1 deri në 2 muaj.

Ky Protokolli Bashkëpunimi do të jetë i vlefshëm për një periudhë (1) vjeçare nga data e nënshkrimit.

Protokolli pritet të nënshkruhet në datën 28 maj 2014 në Tiranë, Shqipëri nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Kryetari i Landit te Salzburgut Dr. Wilfried Haslauer. Dy artistët e parë të këtij bashkëpunimi për vitin 2014 janë:

– Artisti austriak Georg Bernsteiner (Arte pamore)

– Artistja shqiptare Matilda Odobashi /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit