
Partizani i sezonit të ri do të jetë në duart e Shpëtim Duros, citon Supersport.
Presidenti Gazmend Demi, gjatë prezantimit të trajnerit të ri zbuloi para mediave se Duro do të ketë edhe rolin e menaxherit, pra do të jetë fuqiplotë në vendimarrje, në funksion të ndërtimit të një skuadre që do të pretendojë trofetë madhorë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, gjatë sezonit të ardhshëm.
Numri një i klubit dhe ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës, firmosën kontratën 3-vjeçare në prani të mediave dhe një numri të konsiderueshëm tifozësh të kuq, që nuk e fshehën entuziazmin në momentin e shtrëngimit të duarve.
“Shpëtim Duro do të jetë Menaxher-Trajner. Klubi e ka konceptuar në mënyrë të tillë rolin e tij, pasi Duro do të ketë dorë të lirë për të vendosur mbi lojtarët që do të bëhen pjesë e Partizanit”.
Në fjalën e tij, Duro theksoi se po merr një përgjegjësi të madhe mbi supe, pasi nga ky moment do të jetë ai “Gaz Demi” i Partizanit.
“Nga ky moment, në mënyrë figurative do të jem unë Gaz Demi i Partizanit. Është një përgjegjësi e madhe, pasi duhet të ndërtojmë një ekip pretendent që do të kërkojë të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë”.
Para se të rikthente Duron në shtëpi, Partizani rikonfirmoi 10 futbollistë të sezonit të kaluar, por trajneri i të kuqve paralajmëroi largime, pasi te grupi aktual ka ende lojtarë që nuk u përshtaten ideve të tij.
“Kam parë që klubi ka rikonfirmuar një pjesë të mirë të lojtarëve që mbyllën sezonin, por për mua nuk është rikonfirmuar asgjë.
Ka lojtarë që nuk i përshtaten ideve të mia, ndaj është më mirë që ata të luajnë në një ekip tjetër”. Përsa i përket përforcimeve apo zërave për afrimin e mundshëm të Prognit, Muzakës dhe Karabecit, 54-vjeçari sqaroi:
“Këta lojtarë janë të njohur në futbollin shqiptar, por unë nuk konfirmoj bisedimet me asnjë prej tyre.
Tani që ata e kanë marrë vesh që unë jam trajner i Partizanit, nëse kanë interes mund të vijnë të bisedojnë. Partizani nuk do të marrë lojtarë që na lusin, por elementë që ne i mendojnë të vlefshëm dhe që i lusim ne”.
Me këtë rast Partizani prezantoi edhe blerjen më të re, mesfushorin Idriz Batha, i cili do të mbaje veshur fanellën më numër 10, ndërsa Arbnor Fejzullahu, nuk ishte i pranishëm për arsye objektive.
“Unë kam qenë edhe më parë pjesë e Partizanit, por tani është ndryshe. Kam ardhur këtu për një Partizan kampion”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





