Transmetuar më 27-05-2014, 15:40

Mario Morina është fituesi i edicionit të 6-të të çmimit, “Talenti i Vitit” i organizuar nga shoqata “Sporti na Bashkoi”, citon Supersport.

Në votimin e gazetarëve sportivë në vend, ishte pikërisht sulmuesi i Tiranës që grumbulloi më shumë vota, duke bërë për vete çmimin individual.

Pas vendit të dytë të arritur sezonin e kaluar, tashmë 21 vjeçari bëhet fitues i trofeut “Talenti Vitit”, një vlerësim që tregon rritjen e tij në aspektin personal.

Këtë edicion të 6-të u dhanë dy çmime të dyta dhe dy çmime të treta. Pas sulmuesit bardheblu u renditën mesfushori Arsid Kruja i Vllaznisë dhe mbrojtësi Amir Rrahmani i Partizanit.

20 vjeçari i shkodranëve ka qenë një pikë e rëndësishme e Vllaznisë këtë edicion duke u aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij kampionati.

Pas shpërthimit një sezon më parë, Kruja konfirmoi talentin e tij edhe këtë edicion, dhe vlerësimi i dhënë me këtë çmim tregon progres në karrierën e tij.

Mbrojtësi i të kuqve nga kryeqyteti, Rrahmani, pas një nisjeje jo të mirë të sezonit ka gjetur veten duke u bërë një pikë referimi në mbrojtje.

Ndërkohë në vendin e tretë janë renditur sërish dy futbollistë, Lorenc Trashi i Lushnjës, që pavarësisht faktit se skuadra ka rënë në Kategorinë e Parë, loja e tij këtë edicion i ka befasuar të gjithë.

Përkrah Trashit është renditur një tjetër futbollist i Partizanit, mbrojtësi Mevlan Murati. Ndërkohë me çmimin Fair Play është vlerësuar portieri i Tiranës, Ilion Lika, që për arsye familjare nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit