
Tiranë, 26 maj 2014, NOA.al- Pas deklaratave të ish kryeministri, Sali Berisha në lidhje me festimet e 70 vjetorit të Kongresit të Përmetit, ka reaguar zyra e Kuvendit.
“Edhe në këtë rast, ekstremet u puqën. Në të njëjtën kohë, u formuluan dy akuza ekstreme; të parët komunistët që pretenduan se Kryetari i Kuvendit nuk respekton ish-diktatorin komunist dhe ish-kryeministri, i vetëkonsideruar si antikomunist, që gjykon se po ringjallet fryma enveriste”, thuhet në komunikatën e bërë nga zyra e Kuvendit.
Zëdhënësi shprehet se parrullat komuniste dhe shfaqja e portreteve të Hoxhës në datën 24 maj në Përmet nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë pozicionim të mundshëm të Kryetarit të Kuvendit dhe nuk kanë gjithashtu asnjë lidhje me aktivitetin e tij në përkujtim të Kongresit të Përmetit.
Zëdhënësi i Kryetarit të Kuvendit konfirmon se qëndrimi i kryetarit Ilir Meta ndaj historisë së Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk ka të bëjë me figura të veçanta, por është një vlerësim i vendosur dhe pa kompromis i kësaj lufte që e rreshtoi Shqipërinë si fitimtare në radhët e koalicionit të madh antifashist ndërkombëtar.
“Hapja ciklike e debateve të tilla është mjaft e dëmshme, është tërësisht e panevojshme dhe është e padobishme. Ato tentojnë ta rifusin sërish Shqipërinë të ndarë në dy llogore antagoniste”, bën të ditur Kuvendi
Kryetari i Kuvendit beson se në gjykimin e historisë dhe mbi historinë nevojitet qetësi dhe ekuilibër, nevojitet maturi e vetëpërmbajtje dhe jo urrejtje ekstremiste nga e shkuara që tenton të mbartet dhe në të sotmen.
“Historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe konstruktive, pa komplekse dhe paragjykime politike. Historia e djeshme e Shqipërisë, njëlloj si fotot e sotme të rrjetit social Facebook, ku edhe deputeti Berisha është mjaft aktiv, nuk e pranon retushimin mbi baza dhe paragjykime politike”, përfundon kundërpërgjigja ndaj akuzave të deputetit Berisha./a.s/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





