
Tiranë, 26 maj 2014, NOA.al- Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, në një takim me temë për bashkëpunimin ndërajonal, deklaroi se krimi i organizuar i ka kaluar kufijtë rajonal.
Ai e cilësoi luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, si problem i rendit të ditës, ndërsa Ballkanin e cilësoi si vend tranzit për trafikun e drogës.
Në vijim Llalla u shpreh se, “Prokuroria ka shtuar forcën goditës kundër grupeve kriminale ndërsa janë hartuar programe për forcimin e shtetit ligjor”.
Kryeprokurori tha se nevojitet bashkëpunin efikas me vendet e rajonit, për të luftuar krimin e organizuar.
I pranishëm në këtë aktivitet duke folur për mediat, Prokurori i Antimafias në Itali, Cataldo Motta tha se në vendin e tij kohëve të fundit ka hyrë një sasi e madhe lënde narkotike nga Shqipëria, duke sqaruar se një pjesë e saj kalon tranzit në Itali dhe përcillet në vendet e tjera të Europës.
I pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni për avionë të tjerë me drogë, pas atij të bllokuar në Divjakë me pilotin italian Giorgio Riformato, Motta tha se nuk ka dijeni për avionë të tjerë , duke shtuar se nuk mund të japë detaje për çështje që janë në hetim e sipër./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





