
Tiranë, 26 maj 2014, NOA.al- Ndërsa greva e urisë e të larguarve nga puna ka hyrë në ditën e gjashtë të saj, gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, grevisti Tonin Kolthi është dërguar në spital, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kolthi ka shfaqur shqetësime në stomak dhe luhatje tensioni, duke bërë që të transportohet drejt spitalit.
Rreth orës 10.30, kryetarja e grevës së urisë, njëherësh kryetarja e shoqatës në mbrojtje të të larguarve nga puna, Nertila Qafzezi, ka pësuar rënie të ndjeshme tensioni, duke u dërguar në spital.
Pak pas mesditës së të hënës, pas ndihmës mjekësore të marrë në spital Kolthi dhe Qafzezi janë rikthyer sërish në grevë.
Greva e urisë e të larguarve nga puna nisi pasditën e së mërkurës, ku dita ditës gjendja e tyre shëndetësore është rënduar.
Edhe gjatë ditës së djeshme tre grevistët Astrit Leka, Mahir Reçi dhe Prel Vukaj, shfaqën probleme shëndetësore duke u dërguar në spital për marrjen e ndihmës së rastit dhe më tej u kthyen sërish në grevë.
Grevistët janë vendosur në katër tendat e vendosura pranë selisë së Kryeministrisë, në lulishten përballë Piramidës./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





