Transmetuar më 25-05-2014, 18:15

Këtë verë, trupi juaj mund të marrë ngjyrë të njëtrajtshme falë një kremi të ri solar që pihet! Nëpërmjet “Harmonised H20 UV”, i cili kushton 15 euro dhe që momentalisht shitet vetëm në SHBA dhe Angli, juve do t’i jepni fund mërzisë dhe djegieve të pjesshme që ju shkaktojnë kremrat e tjerë të aplikueshëm mbi lëkurë!

Sezoni i bukur i verës tashmë është “pas dere” dhe si çdo vit, përgatitja për t’u mbrojtur nga dielli dhe veçanërisht nga rrezet e tij të “rrezikshme” ultraviolet (UV), është më se e nevojshme. Aplikimi i kremrave solarë me mbrojtje të lartë është një gjest karakteristik i pushimeve verore, por jo gjithmonë i kënaqshëm: për të shmangur veçanërisht djegiet e pjesshme të diellit lyerja e njëtrajtshme e trupit është mjaft thelbësore, duke u kujdesur për ta bërë këtë veprim të paktën në çdo dy ose tri orë. Një gjë e bezdisshme pushimesh, apo jo? Por duket se diçka do të ndryshojë në këtë drejtim. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbërritur “Harmonised H20 UV”, kremi i parë solar që pihet si një gotë uji normale! A mund të mbrohesh nga dielli me një pije dhe si? “Kremi solar-pije” për të cilin po flasim quhet Harmonised H20 UV, ndërsa ai shitet me një shishe 100 ml dhe sipas krijuesve të tij, ofron një mbrojtje prej 3 orësh. Efekti është i njëjtë si ai i një kremi me një mbrojtje normale diellore dhe me karakteristikën që filtron 97 për qind të rrezeve UV. Produkti tashmë është në shitje në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar me një kosto prej 15 eurosh.

“Harmonised H20 UV” është prodhuar nga shoqata amerikane “Osmosis Skincare”, ndërsa në faqen e saj zyrtare të internetit do të keni mundësi të njiheni edhe vetë me mënyrat e përdorimit. Kështu, në të thuhet se, përpara se të ekspozoheni në diell duhet të pini 2 ml krem solar bashkë me 2 ml ujë. Më pas është e nevojshme të vëzhgoni me kujdes situatën për gjysmë ore. Kjo është koha në të cilën vepron kremi. Pasi kalojnë dy orë, atëherë duhet të pini edhe 2 ml të tjerë krem. Në rastin e ekspozimit të zgjatur në diell dhe në kohën më të nxehtë të ditës (në orën 12.00-15.00), është e rekomandueshme që të kombinoni mbrojtjen duke “pirë” edhe një krem solar të aplikueshëm mbi lëkurë. Mjeku Ben Johnson, themeluesi i kompanisë “Osmosis Skincare”, shpjegon se kremi solar që pihet vepron së brendshmi, duke “vibruar” mbi sipërfaqen e lëkurës.

Reagimi në rrjetet sociale

Në Facebook një guximtar që e provoi këtë lloj kremi ka folur me tone entuziaste, ndaj për momentin komentet duket se janë pozitive. Por a jemi të sigurt që “pirja” e një kremi solar të jetë e shëndetshme? Sigurisht, përpara se Harmonised H20 UV ta hidhnin në treg, specialistët kanë kryer të gjitha testet e nevojshme, ndaj mbase nuk mund të na ndodhin kundërreagime. Megjithatë, bëhet fjalë për pirjen e një produkti kimik dhe kjo është një gjë e ndërlikuar për të qenë 100 për qind të sigurt. Sigurisht, ideja që nuk do të na duhet të shpërndajmë më krem nëpër trup është mjaft joshëse, megjithatë na mbetet ta provojmë apo të shohim rezultatin te të tjerët që do të jenë të guximshëm për ta provuar.

Rrezet ultravioletë

Rrezatimi ultraviolet apo rrezatimi UV është një brez i rrezatimit në spektrin elektromagnetik që gjendet në mes të rrezatimit të dritës së dukshme dhe valëve rëntgen. Ky rrezatim për syrin e njeriut është i padukshëm. Ky brez i spektrit së bashku me dritën e dukshme dhe rrezatimin e valëve infra të kuqe hynë në grupin e “rrezatimeve optike”. Rrezet ultravioletë kanë sikurse rrezet e dritës pikën e thyerjes dhe absorbohen. Gjatësia valore e këtyre rrezeve është nga 789 tera herc (380nm) deri në 300 PHz (1nm). Energjia e një kuanti të një rrezeje është diku 3.3 eV (380nm) deri në 1000ev (1nm). Rrezatimi ultraviolet është zbuluar më 1802 nga J.W.Riter.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit