
Rreth 20 ditë nga starti i botërorit Brazil 2014, presideti i FIFA-s, Sep Blater konfirmoi se gjatë sfidave që do të luhen në orën lokale 13:00, do të ketë ndërprerje të shkurtra për t’u dhënë mundësi futbollistëve që të marrin veten nga temperaturat e larta, citon Supersport.
Problemet më të mëdha parashikohen në Manaus, ku përveç temperaturës së lartë, pengesë për futbollistët bëhet edhe lagështia e ajrit.
“Futbollistët profesionistë mund të zbresin në fushë në të gjitha kushtet e motit, në të ftohtë, në shi në mjegull, nuk mendoj se do të jetë përqindja e lartë e lagështisë që mund t’i ndalojë.
Gjithsesi, është e mundur që në raste të veçanta ndeshjet të ndërpriten përkohësisht, në mënyrë që lojtarët të mund të pinë diçka.”
Kreu i qeverisë së futbollit botëror, më pas komentoi vonesat në punime për ndërtimin e stadiumeve.
"Në fillim na kërkuan të ndërtonin 17 stadiume, ndërsa ne i bindëm se mjaftonin 12. Vendimi për ndërtimin e impiantit “Arena Amazzonia” ishte i fortë.
Kryetari i Bashkisë së Manaus me garantoi se në përfundim të Botërorit, ky stadium do të shfrytëzohet për aktivitete të tjera muzikore, për evente kultorure dhe koncerte. Pra nuk do të shndërrohet në një katedrale në shkretëtirë.”
Pyetjes nëse ndihet i stresuar më pak se 3 javë nga starti i Botërorit, Blater iu përgjigj:
"Jo, jo, jam ndoshta pak nervoz siç u ndodh aktorëve para se të ngjiten në skenë." Duke prekur temën e vonesave në punime, ai tha:
"Kjo është Kupa e 10-të e Botës që organizoj dhe në prag të një eventi të tillë gjthmonë dalin në skenë të njëjtat shqetësime.
Edhe në “Italia 1990”, një ditë para ndeshjes së parë të botërorit, nëpër stadiume vijonte vendosja e ndenjëseve. Në Brazil gjithçka është gati, dhe të 12 stadiumet janë provuar më parë."
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





