Transmetuar më 25-05-2014, 11:51

Tiranë, 25 maj 2014, NOA.al- Konfindustria ka shprehur shqetësimin lidhur me shtimin e huamarrjes informale nga bizneset. Ajo thotë se Shqipëria radhitet ndër vendet me normat më të larta të interesave të kredive dhe kushtet më të ashpra të kreditimit në rajonin e Europës Juglindore, pa përmendur vendet e BE.

“Industria dhe prodhimi në përgjithësi janë pjesa më e prekur e ekonomisë kombëtare nga politikat shtrënguese të kreditimit nga sistemi bankar. Tregues i drejtpërdrejtë i gjendjes së mësipërme është ritmi i shtimit të kreditimit të ekonomisë, që për 3 mujorin e parë të vitit 2014 është në pikën e tij më të ulët historike edhe kundrejt vitit të vështirë 2013 si dhe importet në vazhdimësi të ulëta për makineri dhe pajisje”, tha të dielën, kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.

Ai sugjeron se pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre politikave të kreditimit nga sistemi bankar shqiptar është ulja e fuqisë konkurruese të prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare krahasimisht atyre të huaja.

Sipas kreut të Konfindustrias, në kushtet e paaftësisë së sistemit bankar shqiptar për të siguruar kreditim të sektorit privat në kushte konkurruese me vendet e tjera, bizneset janë të detyruara t’i drejtohen gjithnjë e më shumë tregut informal për të siguruar likuiditetin e domosdoshëm për vazhdimin e punës.

“Konfindustria, i kërkon qeverisë shqiptare të ndërhyjë në një kohë sa më të shpejtë për marrjen e masave të nevojshme për të luftuar dukurinë e oligopolit në tregun bankar dhe financiar të vendit, si shkaku kryesor i gjendjes së pakënaqshme të mësipërme”, thotë Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrias. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit