

Konservatorët fitojnë zgjedhjet për Evropën në Gjermani
Partia kritike ndaj Evropës "Alternativa për Gjermaninë" siguron hyrjen në Parlamentin Evropian
Unioni CDU/CSU-ja (kristiandemokrat/kristiansocial) është fitues i zgjedhjeve për Evropën në Gjermani, pavarësisht humbjeve që pësoi në këto zgjedhje. Sipas parashikimeve fillestare të televizioneve ARD dhe ZDF të orës 18:10 CDU/CSU fituan rreth 36.1 për qind të votave. Sidomos CSU-ja u përball sipas ARD-së me humbje të mëdha duke fituar 5.4 për qind vota në mbarë vendin.
SPD-ja shënoi një rritje nga 27,5 në 27,6 për qind. Të Gjelbrit shënuan gjithashtu një rritje nga 10,6 deri në 10,9 për qind, sikurse edhe partia E Majta nga 7,6 në 7,8 për qind.
Partia kritike ndaj Evropës "Alternativa për Gjermaninë" (AFD) fitoi 6.5 për qind të votave duke siguruar kështu hyrjen në Parlamentin Evropian.
Parashikimet e "PollsWatch2014"
Fitorja e CDU/CSU u përgjigjet edhe rezultateve të anketimeve të projektit evropian "PollsWatch2014". Por sipas drejtorit të "PollsWatch2014", Doru Frantescu: "Parlamenti i ardhshëm do të jetë shumë më i polarizuar. Do të shohim më shumë ekstreme në krahun e djathtë dhe të majtë. Grupet në mes do të jenë më të vogla." Kjo do të ketë pasoja edhe në politikën praktike dhe në krijimin e koalicioneve, thotë ai.
"PollsWatch2014" është pjesë e organizatës joqeveritare "VoteWatch", e cila dokumenton sjelljen e parlamentarëve të BE në votime dhe që synon të tregojë ndikimin eventual nga grupet e lobiimit.
Skeptikët ndaj Evropës
Partitë skeptike ndaj Evropës dhe që e kundërshtojnë Evropën në krahun e djathtë do të jenë më të forta se kurrë më parë, parashikon më tej "PollsWatch2014". Ato mund të formojnë dy grupe parlamentare me rreth 100 vende. Partitë ekstremiste nacionaliste dhe ato me qëndrim armiqësor ndaj të huajve, si Front National i Marie Le Pen-it në Francë dhe Partia e Lirisë e Geert Wilders nga Hollanda do të bashkohen me parti ekstremiste nga pesë shtete të tjera anëtare, duke krijuar një grup parlamentar me 38 vende.
Në përditësim
Ditën e sotme janë hapur qendrat e votimit në 21 shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë për zgjedhjen e Parlamentit Evropian.
Qendrat e votimit u hapën në orën 04:00 dhe do të rrinë të hapura deri në orën 21:00.
Rezultatet paraprake do të bëhen të ditura pas orës 21:00. Rreth 400 milionë njerëz kanë të drejtë vote në gjithë BE-në.
Qytetarët në Letoni, Sllovaki dhe Maltë votuan dje në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Ata në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Çeki dhe Irlandë kanë hedhur tashmë votat e tyre.
Votuesit po zgjedhin 751 përfaqësues për të ndjekur seancat e Parlamentit Evropian në Bruksel dhe Strasburg nga viti 2014 deri më 2019.
Vendet parlamentare janë të caktuara për secilin shtet anëtar të BE-së në bazë të popullsisë.
Pjesëmarrja në zgjedhje në rënie
Tendencat e para kanë ngjallur shqetësimin se pjesëmarrja në zgjedhje këtë herë mund të jetë edhe më e ulët se pesë vjet më parë. Që në vitin 2009 vetëm 43 për qind e qytetarëvë me të drejtë vote në BE, dhanë votën e tyre. Kryetari i Komisionit zgjedhor në kryeqytetin e Letonisë Riga, pas mbylljes së qendrave të votimit të shtunën (24.5.) përllogariti një pjesëmarrje prej vetëm 30 për qind.
Në Çeki kërkohen ndërkohë shkaqet për pjesëmarrjen me sa duket të ulët edhe atje. Rreth gjysma e çekëve i konsideronin zgjedhjet evropiane të panevojshme, pasi ato nuk ndryshojnë asgjë, ishte rezultati i një anketimi të kryer me porosi të televizionit çek.
Disa parashikime për rezultatet e zgjedhjeve ka tashmë por rezultatet zyrtare mund të publikohen vetëm të dielën (25.05.) në mbrëmje, sapo të mbyllen edhe qendrat e fundit të votimeve ne Itali në orën 23 sipas orës verore të Evropës Qendrore.
Me tension …
… pritet në mënyrë të veçantë rezultati i partive ekstremiste të djathta, populiste dhe euroskeptike. Ndërkohë që në Holandë "Partia për Lirinë" (PVV) e euroskeptikut dhe kritikut të fesë islame Geert Wilders duket se ka pësuar humbje, në Britaninë e Madhe duket se ka pasur rritje të dukshme të numrit të votave për partinë anti-BE, UKIP.
Në Francë institutet e studimit të opinionit presin një rezultat shumë të mirë për partinë me orientim të djathtë "Fronti Nacional" të Marine Le Pen. Pas rënies së kufirit prej 3 për qind në Gjermani, ka mundësi që edhe partia gjermane e ekstremit të djathtë NPD të dërgojë të paktën një deputet në Parlamentin Evropian.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





