
Tiranë, 24 maj 2014, NOA.al- INSTAT ka publikuar të dhënat mbi numrin e popullisë në Shqipëri bazuar në dy analizat mbi Migracionin në Shqipëri dhe Projeksionet e Popullsisë 2011-2031, pas përfundimit të konferencës dy ditore mbi “Analizat e të dhënave të Censusit 2011 dhe përdorimi i tyre”.
Nga këto të dhëna rezulton se popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2014 është 2.895.947, nga të cilat 1.435.984 femra dhe 1.459.963 meshkuj. Bazuar në përllogaritjet e bëra, sipas metodologjisë për vlerësimin e popullisë çdo vit, INSTAT ka publikuar shifrat e plota të popullsisë për vitet 2001-2014. (Shifrat e plota të popullsisë)
Mënyra e përllogaritjes– Në 1 Tetor 2011 INSTAT kreu Censusin e Popullsisë dhe Banesave, ku popullsia banuese rezultoi 2.800.138 banorë. Ky rezultat shfaqi një diferencë me atë çfarë ishte projektuar për vitin 2011 nga Projeksionet e Popullsisë bazuar në Censusin e vitit 2001. Për herë të parë INSTAT ndërmori Anketën e Pas Census (APC) ku objektivi kryesor i saj ishte kontrolli i mbulimit të Censusit. Rezultatet e kësaj ankete treguan se Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011 kishte një nën-mbulim prej 3%. Rezultatet e APC mund të përdoren gjithashtu në vlerësimin e popullsisë për vitet pasardhëse si dhe për rivlerësimin e numrit të popullsisë gjatë periudhës midis dy censuseve. Nisur nga kjo, INSTAT dhe ekspertët e Asistencës Teknike të BE-së vlerësuan numrin e popullsisë në 1 Janar duke marrë parasysh numrin e popullsisë banuese nga Censusi 2011, numrin e refuzimeve dhe rezultatet e APC e cila në 1 Janar 2012 rezultoi 2.902.190 banorë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





