Transmetuar më 24-05-2014, 11:08

Shkodër, 24 maj 2014, NOA.al/K.Kotorri- Një 20-vjeçar i ka dërguar 4 mijë euro një francezi të cilin e njohur në rrjetin social në Facebook për të blerë makinë, por ai është zhdukur. A.N., banues në Shkodër ka denoncuar në polici mashtrimin që i është bërë nga një shtetas i huaj.

20-vjeçari i tha dje policisë se para disa javësh ishte njohur nëpërmjet rrjetit social Facebook me një francez me të cilin kishte biseduar për makinat.

Francezi i ka kërkuar 20-vjeçarit një shumë prej 4 mijë eurosh me qëllim që t’i blinte një makinë të viteve të fundit dhe më pas do t’ia sillte në Shqipëri.

I riu shkodran e ka besuar dhe i ka kërkuar babait shumën e parave dhe ia ka nisur me shërbimet e transfertave të parave, "mikut" të tij francez.

Ky i fundit pasi ka tërhequr paratë ka shkëputur çdo kontakt me 20-vjeçarin, i cili kërkoi ndihmën e policisë.

“Unë jam djalë i vetëm dhe prindërit më plotësojnë dëshirat. U kërkova 4 mijë euro për të blerë makinë dhe ata mi dhanë. Nuk u tregova se do t’ia nisja dikujt që nuk e njihja në Francë, ndoshta s’do mi kishin dhënë”, tha në polici i riu. Burime nga policia e Shkodrës thanë për Noa.al se kanë nisur hetimet për veprën penale “Mashtrim Kompjuterik” ndërkohë që nuk është identifikuar ende autori i përvetësimit të parave./k.k/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit