


Tiranë, 24 maj 2014, NOA.al- Greva e urisë e të larguarve nga puna ka hyrë në ditën e katërt të saj. Qysh në orët e para të ditës së sotme njëri nga grevistët ka shfaqur probleme shëndetësore, duke bërë që të transportohet në drejtim të spitalit.
Mehmet Salmurati ka kaluar në gjendje të fikti si pasojë e tensionit të ulët, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen e bluzave të bardha.
Rreth orës 10.00 një tjetër grevist, Petrit Fejzullahi, pësoi rënie të fikti duke dalë nga çadra, çka bëri që të dërgohet me urgjencë në spital dhe pak orë më vonë iu rikthye sërish grevës.
Në vijim rreth orës 14:50 një tjetë grevist është dërguar për në spital dhe bëhet fjalë Ludovik Berishën, i cili edhe gjatë ditës së djeshme shfaqi probleme shëndetësore.
Ndërkohë grevstët e tjerë, të cilët kanë nisur grevën qysh pasditen e së mërkurës paraqiten në gjendje të stabilizuar.
Gjatë ditës së sotme ata u vizituan edhe nga deputetja Jozefina Topalli, e cila e cilësoi grevën e tyre si "Grevë për bukën e gojës. I kërkoj Edi Ramës që ti kthejë në vendet e punës. Për të drejtat e njeriut, punën e mohuar dhe për mashtrimin e bërë".
Topalli e cilësoi sjelljen e Kryeministrit si sjellje enveriste, ndërsa shtoi se Rama ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Në vijim grevistët u vizituan edhe nga deputetet Albana Vokshi dhe Mesila Doda, të cilat shprehën mbështetjen për ta.
Fillimisht ishhin dhjetë të larguar nga puna, Nertila Qafzezi, Vera Picaku, Gladiola Bardhoshi, Olgerta Shkurti, Petrit Fejzullai, Artan Murrizi, Astrit Lika, Ludovik Berisha, Prel Vuka dhe Agron Dervishi, ata që nisën grevë, ndërsa më tej atyre iu bashkuan edhe disa persona të tjerë të larguar nga puna.
Gjatë pasditës së djeshme dy grevistët Ludovik Berisha dhe Gladiola Bardhoshi shfaqën probleme me shëndetin, por pas ndihmës së marrë u rikthyen sërish në çadrat e grevës./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





