
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Besart Berisha merr trofeun si pjesë e 11-shes më të mirë të A-league për sezonin 2013-2014, duke qenë dhe një prej lojtarëve kyç për skuadrën e tij të Brisbane Roar, së cilës i dha lamtumirën pasi i udhëhoqi në fitoren e titullit për t’u transferuar te Melbourne Victory.
Besart Berisha shënoi 13 gola në këtë sezon të kampionatit australian, madje dy prej tyre i realizoi në ndeshjet play-off duke ndihmuar skuadrën e tij Brisbane Roar të fitonte titullin e dytë në histori.
Në formacionin më të mirë, Berisha udhëheq i vetëm majën e sulmit, madje për të fituar këtë pozicion futbollisti shqiptar la pas sulmuesin e famshëm Italian Alex Del Piero që e mbylli sezonin në koutën e 10-golave me skuadrën e Sydney-it.
Besart Berisha e mbyll kështu në mënyrën më të mirë aventurën e tij me Brisbane Roar, ku në 3 sezone me portokallinjtë koleksionon 83 ndeshje dhe 50 gola të shënuar.
28-vjeçari nga Prishtina ishte gjithashtu përcaktues në fitpren e dy titujve kampionë, madje në sezonin e tij të parë u shpall edhe golashënuesi më i mirë i A-League.
Që nga sezoni i ardhshëm, Berisha do të jetë pjesë e Melbourne Victory, skuadër e cila falë një ofertë më të mirë ekonomike fitoi firmën e sulmuesit shqiptar për dy sezonet e ardhshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





