Transmetuar më 23-05-2014, 15:07

Prishtinë, 23 maj – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të premten tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 8 qershor.

Sipas shortit të tërhequr, PDK-ja do të ketë numrin 58 në fletëvotim, LDK 54, Lëvizja Vetëvendosje 35, AAK-ja numrin 44, Nisma për Kosovën 59; Partia e Fortë 37; Lista Serbe 38, SLS 56; AKR 40; Partia rome e Bashkuar 34; Partia e Ashkalive për Integrim 49; Hasan Gashi, kandidat i pavarur 45;

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara për të marrë pjesë në këto zgjedhje, sipas KQZ-së është 30, prej tyre janë: 18 parti politike; shtatë iniciativa qytetare; një kandidat i pavarur; dhe katër koalicione.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime. Në hapje të kësaj ceremonie në emër të KQZ-së, Betim Gjoshi ka shpjeguar përgatitjet që po bëhen nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Aktualisht KQZ është në fazën e përgatitjeve të mëtejshme të zgjedhjeve të 8 qershorit. Deri më tani janë bërë punë të mëdha në organizimin e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. KQZ ka ndërtuar komisionet komunale zgjedhore në 38 komuna të Kosovës, jemi në proces dhe shumë shpejt do të emërojmë edhe këshillat e vendvotimit. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e një numri të madh të punëve që janë rreth 300 aktivitete që ka ndërmarrë KQZ”, tha ai.

Pas kësaj punonjës të Administratës kanë tërhequr plikot e subjekteve politike, pastaj janë ftuar përfaqësuesit e tyre për të tërhequr numrin, raporton rtk.

Numrat të cilët i kanë tërhequr përfaqësuesit e subjekteve politike kanë nisur nga numri 32.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit