
Me kapacitetet e veta turistike, vendet ballkanike gjatë viteve të fundit gjithnjë e më tepër po tërheqin turistët skandinavë.
Gazeta e mirënjohur suedeze “Svenska dagbladet” shkruan se shërbimet hotelierike dhe të restoranteve në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri janë më të lirat në Evropë, mes 55 dhe 60 për qind më të ulëta nga mesatarja në BE.
Edhe biletat e trenave, autobusëve, anijeve dhe aeroplanëve në këto tre vende janë dukshëm më të lira në krahasim me shtetet e tjera evropiane.
Në tabelën që publikon “Svenska dagbladet”, bazuar në rezultatet nga hulumtimi i paritetit të fuqisë blerëse në BE, vendi më i lirë në Evropë, në raport me shërbimet hotelierike është Maqedonia, ndërsa në vend të dytë dhe të tretë janë Shqipëria dhe Bullgaria.
Serbia është në vendin e gjashtë, Bosnje-Hercegovina në të tetin, ndërsa Mali i Zi është në vendin e dhjetë.
Në mesin 20 vendeve më të lira evropiane, Kroacia dhe Sllovenia e zënë vendin e 18-të dhe 19-të, menjëherë para Spanjës, e cila zë vendin e 20-të.
Në shkrime të shumta në gazetat suedeze në prag të sezonit turistik, përkujtohet se para rënies së Perdes së Hekurt, brigjet e Detit të Zi kanë pasur statusin e një lloji si Majorka.
Turistët nga Evropa Lindore edhe më tej mbeten për Bullgarinë, por nuk është i vogël edhe numri i vizitorëve në qendrat turistike bregdetare bullgare nga vendet evropianoperëndimore, përfshirë edhe suedezët.
Para së gjithash për shkak të çmimeve të volitshme. ”Kroacia dhe Turqia marrin vlerësime të larta. Por, nëse turistët skandinavë dëshirojnë të marrin maksimumin për paratë që do t’i ndanin për udhëtimet në rajon, atëherë duhet të shkojnë drejt Bullgarisë apo drejt vendeve fqinje si Maqedonia dhe Shqipëria”, thotë Magdalena Orn, shefe për informim pranë njërit prej tur-operatorëve më të mëdhenj suedezë “Ving”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





