Transmetuar më 23-05-2014, 15:25

Tiranë, 23 maj 2014, NOA.al- Greva e urisë e të larguarve nga puna ka hyrë në ditën e tretë të saj, pasi ajo nisi pasditen e së mërkurës. Katër çadra janë ngritur pranë Kryeministrisë, ku të larguarit nga puna janë futur në grevë për të kërkuar kthimin e tyre në punë.

Fillimisht ishhin dhjetë të larguar nga puna, Nertila Qafzezi, Vera Picaku, Gladiola Bardhoshi, Olgerta Shkurti, Petrit Fejzullai, Artan Murrizi, Astrit Lika, Ludovik Berisha, Prel Vuka dhe Agron Dervishi, ata që nisën grevë, ndërsa më tej atyre iu bashkuan edhe tre persona të tjerë të larguar nga puna, konkretisht Sokol Ukperaj, Edmond Idrizi dhe Mehmet Cemurati, ndërsa Mimoza Boçari një tjetër greviste që u bashkua po dje, doli prej saj me dëshirë.

21:00- Basha viziton grevistët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar grevistët mbrëmjen e sotme, pas rëndimit të gjendjes shëndetësore të një grevisteje.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Basha tha se kjo është një grevë qytetare dhe jo politike, ndërsa qëndrimin e Kryeministrit e cilësoi si "pashpirtësi ndaj 8000 qytetarëve".

Ndërkohë pak pas vizitës së kryedemokratit, grevisti Ludvik Berisha ka pasur probleme shëndetësore, duke u dërguar për në spital.

19:30- Kthehet në çadrën e grevës Gladiola Bardhoshi

Është kthyer në çadrën e grevës grevistja Gladiola Bardhoshi, e cila u largua për të marrë ndihmën e shpejtë në spitalin e Tiranës, pasi nuk ndihej mirë.

Grevistët e kanë pritur me duartrokitje kthimin e Bardhoshit. “Ndjehem më mirë. Do të vazhdoj deri në fund”, u shpreh Bardhoshi para kamerave.

Kujtojmë se rreth orës 16:55 Bardhoshi u ankua për dhimbje stomaku. Ajo kishte pasur marrje mendsh dhe luhatje tensioni. Kryetarja e Shoqatës për të Larguarit nga Administrata, Nertila Qafzezi, është shprehur se situata e grevistëve të tjerë është normale. Dhe se është normale që në ditën e tretë të grevës të kenë dhimbje koke.

Rreth orëve të para të ditës së sotme, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet e mirë, ndërsa kanë filluar të ndihen shenjat e para të lodhjes, megjithëse pranë çadrave të grevës qëndron një ambulancë për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore të tyre.

Në orët e pasdites së djeshme grevisti Ludovik Berisha pati luhatje tensioni dhe këputje, por ndërhyrja e ndihmës së shpejtë bëri që gjendja e tij të stabilizohet.

Mirëpo po sot është parashikuar që të mbahet protesta e opozitës rreth orës 11.00, e cila është paralajmëruar se do të ketë përmasa kombëtare.

Mësohet se ajo do të nisë nga sheshi “Skënderbej”, do vijojë marshimin nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të kulmuar para godinës së së Kryeministrisë.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka apeluar prej kohësh që qytetarët t’i bashkohen protestës, për të larguar Edi Ramës si Kryeministër dhe për ti dhënë fund trafikut të drogës.

15: 25– Berisha: Opozita do të mbështesë grevistët me gjithë potencialin e saj

Pak minuta më parë, në tendën e grevistëve ka mbërritur për t’i vizituar edhe deputeti demokrat, Sali Berisha. Ai u shpreh se çdo protestë e lirë, e çdo qytetari, në këtë vend do të mbështetet nga opozita. Sipas Berishës, opozita do t’i mbështesë me gjithë potencialin e saj, pasi ata janë duke mbrojtur gjënë më elementare, kafshatën e gojës.

Ish kryedemokrati bëri me dije se këta qytetarë, të cilët janë jashtë spektrit politik të qendrës së djathtë, me një arsyetim të hekurt mbrojnë të drejtën e tyre. “Një zotëri më thotë se gjatë diktaturës, edhe kur na dënonin, na çonin diku ku mund të siguronim bukën, ndërsa tani nuk sigurojmë dot as kafshatën e gojës. Ky është një qëndrim heroik në të drejtat e tyre nga ana e këtyre qytetarëve”, tha Berisha

Ai tha se ka patur një moment, kur Edi Rama urdhëroi t’ju rrëmbejnë çadrën. “Kur Rama humbi çdo arsye dhe dha urdhër për heqjen e çadrës, ata nuk mund të ngeleshin jetimë, sepse po shkelej një e drejtë themelore e qytetarëve. Ata mbështeten plotësisht nga opozita”, deklaroi Sali Berisha.

Berisha në Facebook: Sot të gjithë në protestën “Rama ik”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkruar në rrjetin social Facebook, duke ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e protestës që pritet të nisë në orën 11.00.

“Sot të gjithë në sheshin “Skënderbej në protestën Rama Ik! Të dashur miq, të gjithë në protestën “Rama Ik” në ora 11:00 në sheshin “Skënderbej”. Të protestojmë kundër njeriut që po shndërron Shqipërinë në kartelin e drogës, që avionët e drogës na i shiti për mushkonja, që me qeverinë e tij ka bërë Shqipërinë vendin më të pasigurtë në Europë, që rrëmbeu votat me mashtrime dhe para të pista dhe po zhyt shqiptarët në papunësi, varfëri dhe mjerim. Zgjidhja është Rama Ik! Ik! Ik!”, shkruan Berisha në postimin e tij./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit